Me 52 vjet burgim, dënohen pesë nga gjashtë të akuzuarit për dhunimin e 11-vjeçares në Prishtinë
Departamenti për të Mitur në Gjykatën Themelore në Prishtinë këtë të martë ka shpallur aktgjykimin dënues për pesë nga gjashtë të akuzuarit në rastin e dhunimit të 11-vjeçares në Prishtinë.
Në grupin e dytë të të akuzuarve për këtë rast, gjykata ka shpallur fajtorë dhe ka dënuar B.R., D.Rr., F.S., M.R. dhe M.K., pasi veç e veç e kanë kryer veprën penale të “Dhunimit”.
B.R. u dënua me 12 vjet burgim, D.Rr. me 10 vjet burgim, B.S me 10 vjet burgim, F.S. me 10 vjet burgim dhe M.S. me 10 vjet burgim. Ndërsa për B.S., i cili akoma gjendet në arrati, rasti është veçuar.
Avokatja Kimete Krasniqi, e cila në këtë rast ka përfaqësuar viktimën, ka thënë për Klan Kosovën se “për pesë nga të akuzuarit për të cilët lënda u kthye në rigjykim, sot u dha vendimi meritor, përsëri, duke u shpallur fajtorë për veprën që kanë kryer”.
Ajo ka shtuar se të gjitha provat në këtë rast u shqyrtuan dhe trupi gjykues morri vendim meritor edhe për këtë grup, duke u bazuar në të gjitha provat të cilat tregonin qartë se të akuzuarit e kanë kryer veprën penale me të cilën janë ngarkuar.
Në rigjykim ky rast u kthye, pasi që avokatët e palëve të përfshira ankimuan vendimin e Gjykatës Themelore në prill të vitit 2024, duke e çuar rastin në Apel.
B.S., i cili aktualisht është në arrati, u dënua me 10 vjet burgim për veprën penale “Dhunimi” në këtë rast, në aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, në prill të vitit 2024. Por menjëherë pas shpalljes, ai është arratisur dhe nuk është lajmëruar më, por gjykata e veçoi gjykimin për të, duke mos e lënë pezull aktgjykimin për pjesën tjetër të grupit.
Ndryshe, për rastin e dhunimit të 11-vjeçares akuzohen 13 persona në dy raste të ndara. Lidhur në rastin e përfshirjes në dhunimin e 11-vjeçares në qershor të 2022-ës akuzohen tetë persona B.Rr., D.Rr., G.S., B.S., M.S., F.S., M.R., dhe E.S. Kurse, pesë të akuzuarit: E.R. dhe Sh.K., (madhor), si dhe tre të miturit G.R, G.J dhe Xh.S, akuzohen për përfshirje në rastin e dhunimit të 11-vjeçares, në muajin gusht të vitit 2022. /klankosova