Hoti: Ministria e Punës do të themelojë Komisionin e Ankesave ndaj vendimeve të Inspektoratit të Punës
Ministri për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës, Andin Hoti, ka marrë vendim të themelohet Komisioni i Ankesave për shqyrtimin e ankesave ndaj vendimeve përfundimtare të inspektimeve nga Inspektorati Qendror i Punës.
Kështu është bërë e ditur përmes një njoftimi zyrtar nga kjo ministri.
“Me qëllim të adresimit të çdo ankese ose paqartësie në raport me vendimet e Inspektoratit Qendror të Punës, sot ministri Hoti ka marrë vendim për themelimin e Komisionit të Ankesave për shqyrtimin e ankesave ndaj vendimeve përfundimtare të inspektimeve nga Inspektorati Qendror i Punës”.
“Ministria për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare fton të gjithë qytetarët që në përputhje me ligjin dhe me afatet e parapara, ta shfrytëzojnë të drejtën për t’i adresuar ankesat në ministri”, thuhet në njoftim.