Aktakuzë ndaj dy zyrtarëve të KEDS-it në Ferizaj për pranim të ryshfetit

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka ngritur aktakuzë ndaj dy zyrtarëve të Kompanisë Kosovare për Distribuim me Energji Elektrike në Kosovës (KEDS).

Siç ka bërë të ditur Prokuroria, të pandehurit ngarkohen me veprën penale “Pranimi i ryshfetit në sektorin privat”.

“Sipas aktakuzës së Prokurorisë, më datë 25 shkurt 2026, rreth orës 14:30, në Ferizaj, rruga 'Dëshmorët e Kombit', përkatësisht në Kompaninë Kosovare për Distribuim me Energji Elektrike në Kosovës – KEDS, i pandehuri B.B., në cilësinë e koordinatorit të njësisë së kontrollit në Departamentin për humbje të energjisë elektrike, dhe i pandehuri E.K., në cilësinë e ushtruesit të detyrës së koordinatorit për lidhje të reja, gjatë ushtrimit të detyrave të tyre, në mënyrë të drejtpërdrejtë i kanë kërkuar shumën prej 400 eurove të dëmtuarit A.H., me qëllim që të përshpejtojnë procedurën për vendosjen e njehsorit elektrik në lokalin e tij në fshatin Sojevë, duke i bërë me dije se në të kundërtën vendosja e njehsorit elektrik do të vonohej për një periudhë prej pesë (5) deri në gjashtë (6) muaj”, thuhet në aktakuzë.

Pas zbatimit të masave të veçanta hetimore, të pandehurit janë kapur dhe arrestuar në flagrancë nga ana e Policisë së Kosovës dhe me këto veprime në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Pranimi i ryshfetit në sektorin privat”.

Prokurori i çështjes, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartcekur të shpallen fajtorë për veprën penale për të cilën akuzohen dhe të dënohen sipas ligjit.