Osmani në pritje të Kushtetueses për caktimin e datës së zgjedhjeve
Presidentja Vjosa Osmani ende nuk e ka nënshkruar dekretin për datën e zgjedhjeve.
Kështu bëri të ditur për media këshilltari i saj, Bekim Kupina.
Kupina tha se Osmani është në pritje të Gjykatës Kushtetuese dhe se për këtë janë njoftuar partitë në takimin konsultativ të mbajtur ditë më parë.
“Nëse Gjykata Kushtetuese e vlerëson si të nevojshme caktimin e një mase të përkohshme, Presidenca e mirëpret atë, duke ritheksuar se masa në asnjë moment nuk paragjykon vendimin përfundimtar të Gjykatës lidhur me kushtetutshmërinë e dekretit”, thekson këshilltari i Osmanit.
Kujtojmë se Lëvizja Vetëvendosje të hënën ka dërguar zyrtarisht ankesë në Gjykatën Kushtetuese ndaj dekretit të presidentes Osmani për shpërndarje të Kuvendit.
Kjo u bë e ditur nga shefja e Grupit Parlamentar të kësaj partie, Arbërie Nagavci. /Zëri