LVV-ja e dërgon në Kushtetuese dekretin e Osmanit për shpërndarjen e Kuvendit
Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka njoftuar se kanë dorëzuar kërkesë në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës për vlerësimin e kushtetutshmërisë së dekretit të Presidentes për shpërndarjen e Kuvendit.
Nagavci ka bërë të ditur se 30 deputetë kanë kërkuar nga Gjykata Kushtetuese edhe vendosjen e një mase të përkohshme për pezullimin e këtij dekreti, deri në nxjerrjen e aktgjykimit përfundimtar.
Ajo ka theksuar se presidentja nuk ka të drejtë diskrecionale për të ndërhyrë në funksionimin e pushtetit legjislativ ose për të ndërmarrë veprime që çojnë në shpërndarjen e Kuvendit.
“Është e qartë se Presidentja e Republikës nuk ka të drejtë diskrecionale për të ndërhyrë në funksionimin e pushtetit legjislativ, e aq më pak për të ndërmarrë veprime që çojnë në shpërndarjen e Kuvendit. Roli i Presidentit në këtë proces është strikt i kushtëzuar dhe aktivizohet vetëm në rrethanat e përcaktuara qartë nga Kushtetuta e Republikës së Kosovës”, shkroi Nagavci.
Ajo ka shtuar se në një shtet demokratik asnjë institucion dhe asnjë bartës i funksionit publik nuk mund të veprojë mbi Kushtetutën ose jashtë saj, ndërsa kërkoi që Gjykata Kushtetuese ta trajtojë këtë çështje me prioritet dhe të marrë një vendim sa më shpejt.