KRU “Mitrovica” operon me 200 mijë euro humbje nga mospagesa e faturave në veri

Të paktën edhe për një kohë, qytetarët në katër komunat veriore nuk do të paguajnë për ujin që shpenzojnë.

Kompania rajonale e ujësjellësit “Mitrovica” është në fazën e rekrutimit të stafit, para se të fillojë faturimin edhe matanë ibrit.

Por çdo muaj pa pagesë të ujit në komunat me shumicë serbe, KRU “Mitrovicës” i kushton mesatarisht 200 mijë euro.

“Po shpresojmë që fillimi i qershorit veç me fillu me evidentimin e konsumatorëve, pra kush janë ata njerëz që kanë me u faturu, me u fut në sistemet tona dhe me fillu me faturimin dhe inkasimin”, thotë Bashkim Kurti – kryeshef i KRU “MITROVICA”

Megjithatë konkursi i fundit konsiderohet më shpresëdhënës, pasi që 2 konkurse të mëhershme dështuan.

“Kemi mjaftueshëm aplikantë, për 83 pozita sa i kemi pas për veri kemi pasur gjithsej 312 aplikime, ka pasur diku mbi 120 aplikime nga komuniteti serb”, thotë Kurti.
Faturimi konsiderohet si çështje mjaft e rëndësishme edhe nga përfaqësuesit e veriut, ani se paralelisht kërkohen edhe investime në rrjet.

“Këtu vazhdon të ketë humbje në disa zona në veri ku derdhet uji i pijshëm dhe nuk ka pasur intervenime tash e 26 vjet, besoj që me shtrirjen e institucioneve në veri duhet të ketë edhe investime”, shprehet Betim Osmani –asamblist në Mitrovicë të Veriut.

Faturimi dhe inkasimi i ujit në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq e Zubin Potok, ishte menduar të niste në tetor të vitit të kaluar, por që kishte dështuar në mungesë të stafit, meqë kishte pak aplikime nga qytetarët e komunitetit serb./teve1