Vazhdon shtrenjtimi i derivateve, një litër naftë shkon në 1.55 euro
Për rreth 30 centë, çmimi i derivateve është ngritur brenda 10 ditëve në Kosovë. Naftëtarët arsyetohen me luftën në Iran, teksa paralajmërojnë ngritje të mëtejme të çmimeve. Mirëpo, për dallim nga Kosova, Maqedonia e Veriut vazhdon t?i mbajë çmimet më të ulëta, rreth 1 euro e 20 centë për një litër naftë. Inspektorati i Tregut po vazhdon mbikëqyrjen, teksa ekonomistët s’përjashtojnë mundësinë që situata po keqpërdoret.
Çmimet e derivateve në Kosovë po vazhdojnë të ngrihen edhe më tej. Për 10 ditë, çmimet e derivateve në Kosovë janë ngritur për rreth 30 cent. Nga 1,18 sa ishte një litër naftë para se të niste lufta në Iran, e njëjta të dielën e 8 marsit ka shkuar në 1 euro e 55 cent.
Naftëtarët kanë paralajmëruar se çmimet mund të ngrihen edhe më shumë për shkak që sipas tyre janë ngritur edhe në bursën ndërkombëtare.
Fadil Berjani thotë se Kosova varet nga importuesit e naftës nga Shqipëria, të cilët çmimin e përcaktojnë brenda ditës sipas berëzës.
Nga Ministria e Industrisë i thanë RTK-së se janë duke monitoruar tregun e derivateve.
“Sigurojmë të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës së Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut pranë Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit do të mbetet i përkushtuar në monitorimin vazhdueshëm të tregut me qëllim që të mbrojë shëndetin dhe sigurinë e qytetarëve, luftimin e informalitetit, eliminimin e praktikave të padrejta tregtare si dhe mbrojtjen e konsumatorit dhe në rastet kur konstatohet se nuk respektohen kërkesat ligjore inspektorët e tregut do të marrin veprime lidhur me ndalimin e përkohshëm të ushtrimit të veprimtarisë dhe masa të tjera ndëshkuese sipas legjislacionit aktual në fuqi”.
Ndonëse kanë pasur rezerva, naftëtarët në vend kanë nisur t?i rrisin çmimet e derivateve vetëm një ditë pasi nisi konflikti në Iran.
Për dallim nga Kosova, çmimet në Maqedoninë e veriut vazhdojnë të jenë pothuajse të njëjta. Atje një litër e naftës po sillet rreth 1 euro e 16 centë.
Njohës të ekonomisë nuk kanë përjashtuar mundësinë se lufta në Iran po keqpërdoret nga naftëtarët në vend.
Nagip Skenderi, profesor i ekonomisë, thotë se është joetike që çmimet e derivateve te ne të rriten para se ato të rriten në tregun ndërkombëtar.
Shqipëria edhe më tej vazhdon të mbetet një nga shtetet me çmimin e derivateve më të lartin në rajon. Atje një litër e naftës po sillet rreth 1 euro e 90 centë, ndërsa në Serbi rreth 1.80.