Hoti: Deklarata e Rashiqit e zhvesh plotësisht Kurtin nga retorika e tij mashtruese

Avdullah Hoti nga radhët e LDK-së, ka reaguar pas deklaratave të ministrit për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, lidhur me regjistrimin e 24 hektarëve tokë në emër të Manastirit të Deçanit.

Rashiq ka thënë për “Radio Gorazhdevcin” se kryeministri Albin Kurti i kishte bërë me dije se po e bënte për “shkakun e tij”.

Hoti ka theksuar se “kaq serioze” është vendimmarrja shtetërore e Kurtit.

“Deklarata e ministrit Rashiq e zhvesh plotësisht Kurtin nga retorika e tij mashtruese.  Për vite u fol për “tradhti” dhe “falje të tokës për manastirin”.  Sot, ministri i tij e thotë hapur se vendimi për faljen e tokës së manastirit ishte shumë i thjeshtë: “Do ta bëjmë, por ta dish – për shkakun tënd.”  Pra, ajo që dikur ishte tradhti, kur u bë vetë Kryeministër u bë lehtësisht për hatër.  Kaq “serioze” është vendimmarrja shtetërore e Kurtit. Hi syve për qytetarët, ndërsa vendime të kundërta e për hatër në prapaskenë”, ka shkruar Hoti në Facebook.

Vendimi u mor nga Qeveria e Kosovës më mars 2024, për të zbatuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2016, që i jepte tokën Manastirit.