Pavlika Rajer – E verbra nga Gjakova, shembull guximi në botën e shahut

Në moshën 61-vjeçare, ajo e percepton botën ndryshe nga shumica.

Herë përmes mendjes, dëgjimit e në këtë të fundit, në pjesën më të madhe të kohës përmes tingujve të figurave të shahut.

E verbër prej disa vitesh, Pavlika Rajer ka mësuar të shohë përtej errësirës duke ndërtuar strategji e treguar mprehtësi, në lojën e saj të preferuar.

Hapësira prej 64 katrorësh, një betejë mes dy kundërshtarëve është vendi i saj më i sigurt por edhe sfida e saj kryesore e viteve të fundit.

”Shah kam filluar të luaj nga 18-vjeç. Shikimin e kam humbur para 3 viteve e gjysëm. Kur e humba shikimin e kam pas problem të luaj por duke u inkuadruar herë pas here. Pata problem se nuk i dalloja figurat, deri i mësova. Morri kohë por u përshtata”, ka thënë Pavlika Rajer- E verbër.

Rajer ka sfiduar veten duke marrë pjesë në Kampionatin Kualifikues të Shahut për të Verbër në Shëngjin javë më parë duke u bërë gruaja e parë nga Gjakova që ngritët aq lartë në nivel gara në këtë sport.

Aty zuri vendin e gjashtë e eksperiencën, thotë se nuk e krahason me asnjë çmim.

”Për kampionatin më mjaftoi kryetari i shoqatës. Herën e parë thash hajt të marr pjesë te shoh se nuk e di si shkon por tash jam në ngjarje. Rezultatet s’kenë bash të mira se aso kohe kisha më shumë probleme por bëra shokë e shoqe të mira.  Ishte ndjenjë e mirë. Ndjehem mirë me këtë organizatë, jemi bo si familje. Ju kisha thanë të gjithë të verbërve të marrin pjesë dhe jo veç në shah por në aktivitete të tjera, aty ku e dijnë se mund të bëjnë diçka”, ka thënë Pavlika Rajer – E verbër.

Krenar me Pavlikën shprehen miqtë e saj në shoqatë që thonë se e mbështetën për të marrë pjesë.

”Ne nuk e dime por e morrëm vesh nga miqtë se Pavlika din me lu shah, jam shumë i kënaqur me arritjen e saj se i ka bo nder shoqatës sonë. Me Pavlikën kemi pasur lojë shumë po Pavlika më shumë më ka mujt mua n’shah sesa unë Pavlikën”, ka thënë Sokol Elezaj – I verbër.

Gjersa ajo u bën thirrje të verbërve që të marrin pjesë në gara ku kanë talent, Pavlika Rajer nuk mbetet thjesht një grua që për pasion ka shahun por një dëshmi e gjallë se kur mendja udhëhiqet nga pasioni e këmbëngulja, nuk njeh asnjë lloj të errësirës./dukagjini