Juristi Berisha: Presidentja s’ka të drejtë ta shpërndajë Kuvendin

Juristi Durim Berisha ka shpalosur një sërë argumentesh pse ai beson se presidentja Vjosa Osmani “nuk kishte të drejtë” ta shpërndante Kuvendin e Kosovës.

Ai shkroi në Facebook se paragrafi 2 i nenit 86 të Kushtetutës dhe neni 82.1, pika 3 e Kushtetutës – në të cilët Osmani u thirr kur nxori dekretin për shpërndarjen e Kuvendit – nuk parashohin një gjë të tillë.

“Kushtetuta nuk e parasheh shprehimisht se kur deputetët janë të obliguar ta fillojnë procedurën e zgjedhjes së Presidentit, por Gjykata Kushtetuese e ka sqaruar se kjo procedurë konsiderohet se ka filluar — dhe nga ai moment fillon të rrjedhë afati 60-ditor — kur Kuvendit i propozohen të paktën dy kandidatë për pozitën e Presidentit të Republikës së Kosovës”, tha ai.

Kuvendi u mblodh të enjten, më 05 mars në orën 22:00 dhe dështoi ta zgjedhë presidentin në atë seancë që u ndërpre për shkak të mungesës së kuorumit, ndërsa Osmani nxori dekret mëngjesin pasues, më 06 mars.

“Është fakt notor se neni 82.1, pika 3, e konsideron ipso jure (sipas fuqisë ligjore) Kuvendin të shpërndarë, nëse brenda 60 ditëve nga fillimi i procedurës nuk arrin ta zgjedhë Presidentin”, sipas Berishës.

Berisha, i cili kohë më parë shërbeu si këshilltar i kryeministrit Albin Kurti, tha se kjo dispozitë e Kushtetutës nuk parasheh të drejtën e presidentit — as duke e ndërlidhur me cilat do dispozita të tjera kushtetuese — për ta shpërndarë Kuvendin.

“Kur Kushtetuta parasheh shpërndarje “automatike” të Kuvendit, Presidenti vetëm njoftohet se Kuvendi tanimë konsiderohet, sipas fuqisë ligjore, i shpërndarë dhe Presidenti vetëm cakton datën e zgjedhjeve — nuk e shpërndan Kuvendin, pra nuk ia ndërpret mandatin, përmes dekretit”.

Ai u thirr në një aktgjykim të mëparshëm të Gjykatës Kushtetuese, sipas të cilit presidenti i shtetit nuk gëzon kompetenca që ia njohin të drejtën t’ia shkurtojë mandatin Kuvendit të Kosovës, ashtu si ka vepruar tani Osmani.