Barcelona nis bisedimet me agjentin e yllit të Tottenhamit
Barcelona po planifikon të transferojë një mbrojtës të ri qendror gjatë verës, pasi synon të përforcojë një repart ku ka hasur vështirësi gjatë këtij sezoni.
Pau Cubarsi, Gerard Martin dhe Ronald Araujo kanë qenë nën pritshmëri në disa raste, ndërsa Andreas Christensen, kontrata e të cilit skadon në muajin qershor, ka pasur probleme të vazhdueshme me lëndimet dhe ka luftuar për të qëndruar në formë.
Gjatë muajve të fundit janë identifikuar disa objektiva për këtë pozicion, si Nico Schlotterbeck dhe Marcos Senesi.
Megjithatë, në vend të një emri tashmë të konsoliduar, Barcelona mund të zgjedhë një talent në ngritje për të plotësuar repartin ku bëjnë pjesë edhe Eric Garcia, Cubarsi dhe Araujo. Në këtë skenar hyn në lojë edhe emri i Luka Vuskovic.
Barcelona kishte shfaqur interes për Vuskovic edhe para transferimit të tij te Tottenhami dhe vazhdon të monitorojë situatën e tij.
Këtë sezon, mbrojtësi kroat ka shkëlqyer në huazim te skuadra e Hamburgut në Bundesliga, gjë që ka bërë që drejtuesit katalanas të zhvillojnë biseda fillestare me përfaqësuesit e tij, sipas raportimeve të Sky Sport Germany.
Ndërkohë, Tottenham planifikon ta ketë Vuskvoic në skuadër për sezonin e ardhshëm. Megjithatë, aktualisht nuk ka garanci se klubi londinez do të vazhdojë të jetë pjesë e elitës së futbollit anglez.
Skuadra ndodhet vetëm një pikë larg zonës së rënies nga kategoria dhe, nëse do të binte në nivelin e dytë të futbollit anglez, kjo mund të shkaktonte një largim masiv lojtarësh, ku pjesë mund të bëhej edhe mbrojtësi kroat. /telegrafi