Në Bibliotekën Kombëtare u hapën dy ekspozita për 28-vjetorin e Epopesë
Në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës janë organizuar dy aktivitete përkujtimore me rastin e 28-vjetorit të Epopesë së UÇK-së.
Njëra është ekspozita dokumentare “Epopeja e UÇK-së në shtypin e Kosovës 2000–2020”, si dhe ekspozita fotografike “Ditë-netët e Zjarreve në Prekaz” të fotografit Sefer Aliçkaj.
Në hapje të aktivitetit, drejtoresha e përgjithshme e Bibliotekës, Blerina Rogova Gaxha, theksoi rëndësinë e këtyre ekspozitave për të kujtuar dhe reflektuar mbi historinë.
Ajo u shpreh se iniciativa të tilla ndihmojnë në ruajtjen e kujtesës historike dhe në përcjelljen e saj te gjeneratat e reja, duke nënvizuar se vende si Prekazi mbeten pika të rëndësishme të historisë së vendit.
Ndërkohë, fotografi Aliçkaj foli për emocionet dhe përjetimet që përcjellin fotografitë e ekspozuara, të cilat dokumentojnë momente të rëndësishme të asaj periudhe.
Ekspozitat do të qëndrojnë të hapura për publikun deri më 12 mars.