Gashi për amendamentet për president: Lojë e lodhur e manovër politike, është proces që zgjat me muaj

Arben Gashi, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ka reaguar pasi që presidentja Vjosa Osmani ka proceduar në Kuvend amendamentet kushtetuese për zgjedhje të drejtpërdrejta të Presidentit/es, për të cilat tha se ishin hartuar nga Komisioni për amendamentimin e Kushtetutës në vitin 2011.

Gashi ka thënë se zgjedhjet janë ‘’rruga e vetme’’ nëse deri në mesnatë nuk zgjidhet presidenti i ri i vendit.

‘’Idetë për amendamente kushtetuese, të hedhura sot pas pesë vitesh në pushtet, nuk janë gjë tjetër veçse manovra politike për simpati momentale. Një lojë e lodhur dhe aspak produktive’’, ka thënë ai mes tjerash.

Gashi ka thënë edhe se amendamentet duhet të kalojnë në Gjykatën Kushtetuese për vlerësim të kushtetutshmërisë dhe më pas në Kuvend me shumicë të dyfishtë 2/3, përfshirë edhe votat e komuniteteve joshumicë, gjë e cila, ka shtuar Gashi, është një proces që zgjat muaj të tërë dhe rrezikon stabilitetin institucional.