Azerbajxhani sulmohet me dronë nga Irani

Azerbajxhani ka akuzuar Iranin se ka kryer sulme me dron në territorin e saj, nga të cilat janë plagosur dy persona.

Një dron është rrëzuar këtë mëngjes mbi ndërtesën e terminalit të aeroportit ndërkombëtar në Nakhchivan, një enklavë e Azerbajxhanit që kufizohet në veri me Iranin, njoftoi Ministria e Jashtme e Azerbajxhanit.

Aeroporti ndodhet rreth 10 kilometra nga kufiri me Iranin.

Një tjetër dron ka rënë pranë një shkolle në një fshat aty pranë, thuhet më tej në njoftim, transmeton Zeri.info.

“Ky sulm në territorin e Azerbajxhanit bie ndesh me normat dhe parimet e së drejtës ndërkombëtare dhe kontribuon në rritjen e tensioneve në rajon”, thuhet në deklaratën e ministrisë.

“Ne kërkojmë që Republika Islamike e Iranit ta sqarojë këtë çështje sa më shpejt të jetë e mundur, të japë një shpjegim dhe të ndërmarrë masat e nevojshme urgjente për të parandaluar përsëritjen e incidenteve të tilla në të ardhmen”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Jashtme azerbajxhanase.

Kjo është hera e parë që vendi raporton për një incident të tillë që nga shpërthimi i konfliktit fundjavën e kaluar.

Disa nga goditjet iraniane kanë dalë jashtë rajonit të menjëhershëm të Lindjes së Mesme – Turqia tha dje se është detyruar të rrëzojë raketa balistike iraniane që kishin hyrë në hapësirën e saj ajrore. /Zëri