Kurti: Familja Jashari u bë simbol i lirisë dhe unitetit kombëtar
Qeveria e Kosovës ka mbajtur mbledhjen solemne në 28-vjetorin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), nga ku kryeministri Albin Kurti në fjalën e tij tha se kjo ngjarje tronditëse për historinë bashkëkohore përfaqëson një kthesë vendimtare në vetëdijen kombëtare dhe bashkimin popullor drejt lirisë dhe pavarësisë.
“Sot shënojmë përvjetorin e ngjarjes më tronditëse të historisë sonë bashkëkohore, Epopenë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ajo përfaqëson një kthesë vendimtare në vetëdijen tonë kombëtare dhe bashkimin tonë popullor drejt lirisë dhe pavarësisë. Historia e shteteve ndërtohet mbi ngjarje që i hapin shteg të ardhmes. Marsi i vitit 1998 është një ngjarje e atillë. Në Prekaz, me 5, 6 dhe 7 mars 1998, ndodhi një përballje aq e pabarabartë, por me domethënie aq të jashtëzakonshme. Në analet e historisë së Evropës nuk mund të gjendet një rast i vetëm kur për tre ditë e tre net rresht i bën rezistencë një familje liridashëse autoktone, një shteti policor e okupator. Anise familja Jashari ishte rrethuar shumëfish nga mijëra forca të armatosura, të pajisura me makineri të rëndë dhe mjete ushtarake moderne të kohës, ata luftuan e qëndruan deri në fund, duke dhënë jetën e tyre për lirinë e të gjithë neve”, tha ai.
Kurti theksoi se për familjen Jashari asgjë nuk kishte më shumë rëndësi sesa liria.
“Për këtë familje kishte kuptim vetëm një gjë: liria. Sepse asgjë nuk është e vlefshme sikur ajo. Këtë ngjarje e bën të pavdekshme vendimi i ndërgjegjshëm i familjes për të qëndruar e për të mos u nënshtruar. Burrat, gratë dhe fëmijët vendosën të mos ndaheshin nga kryekomandanti Adem Jashari. Ata qëndruan tok së bashku nga bindja se liria kërkon sakrificë, e cila nis nga vetja. Më 5 mars 1998, të rinjtë e familjes morën pozicionet e tyre me guxim. Gratë dhe vajzat furnizonin me municion pandërprerë. Ishte një qëndresë e organizuar, e vetëdijshme dhe e përbashkët. Kullat e tyre u shndërruan në fortesë, familja në simbol të unitetit dhe vendosmërisë shqiptare, ndërsa Prekazi në kryeqendër të kryengritjes popullore. Pas atyre tri ditëve, lufta në Kosovë mori tjetër karakter. U rrit mobilizimi njerëzor, u forcua legjitimiteti i rezistencës dhe çështja e Kosovës mori vëmendje të madhe ndërkombëtare. Siç kishte thënë pas kësaj beteje, Besarta Jashari: ‘Humba 56 anëtarë të familjes, por fitova zemrat e 7 milionë shqiptarëve’. Gjersa përkujtojmë Epopenë, reflektojmë për përgjegjësinë që kemi ndaj flijimit të tyre. Liria që gëzojmë sot është ndërtuar mbi qëndresën e atyre që nuk u tërhoqën dhe nuk njohin dorëzim. Historia e familjes Jashari duhet të trajtohet jo vetëm në aspektin historik por ehe me atë multidimensional për të bërë studime të thella, për të nxjerrë vlerësime të sakta dhe për të siguruar e edukuar sesi është krijuar ky thesar kombëtar”, potencoi Kurti. /eo