Shkarkohet nga detyra u.d. i Sekretarit të Kuvendit të Kosovës

Është shkarkuar ushtruesi i detyrës të Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit, Arben Loshi.

Kjo është konfirmuar nga vetë Lloshi për Indeksonline, para pak minutave.

‘’Nuk kam asnjë informatë, asnjë konsultim, vetëm më ka ardhur vendimi edhe pse unë jam në process të rekruktimit si kandidati më më së shumti poena me 99.2 pikë’’ ka thënë Loshi.

Për shkarkimin e Loshit ka reaguar edhe Instituti i Kosovës për Drejtësi duke thënë se vendimi për shkarkimin nga pozita e Zëvendësuesit të Sekretarit të Përgjithshëm vjen si një zhvillim i papritur dhe i pashpjeguar.

IKD thotë se do të kërkojë qasje në transkriptin dhe procesverbalin e mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, për të kuptuar qëllimin dhe njoftuar publikun mbi rastin.

“Burimet e IKD bëjnë të ditur se z. Loshi është kandidati që ka marrë më së shumti pikë nga procesi i përzgjedhjes i zhvilluar nga Komisioni për Rekrutim, në përbërje të të cilit ka pasur edhe ekspertë të pavarur. Ky proces është monitoruar gjithashtu nga projekti i Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë”, thuhet në njoftim.

Ndër të tjera e konsideron shqetësuese mënyrën dhe kohën e zëvendësimit të u.d Sekretarit të Kuvendit, në kohë kur vendi është në proces të zgjedhjes së Presidentit.

“Njëkohësisht, IKD e konsideron veçanërisht shqetësuese mënyrën dhe kohën e zëvendësimit të z. Loshi nga pozita e tij, duke pasur parasysh se ky veprim ndodh pikërisht në ditën kur pritet të mbahet seanca për zgjedhjen e Presidentit/es së Kosovës. Në këtë proces, Sekretari i Kuvendit është personi përgjegjës për përgatitjen dhe hartimin e procedurës së votimit, çka e bën këtë zhvillim edhe më problematik nga aspekti institucional dhe procedural”, thuhej në reagim.