PDK-ja, kundër kandidatit Andin Hoti për president

Partia Demokratike e Kosovës nuk do të votojë Andin Hotin, nëse ai kandidohet për president nga LVV-ja, ashtu siç është raportuar nga disa media.

Qëndrimin e PDK-së kundër kandidaturës së Hotit e ka bërë të ditur sot deputeti Mërgim Lushtaku pas mbledhje se Grupit Parlamentar të PDK-së, transmeton Zeri.info.

Lushtaku tha se kanë qenë pro një kandidati konsensual, por edhe dikë nga familja Jashari.

“Ne diskutuam për zhvillimet e fundit, qëndrimi ynë është i njëjtë, ne kemi qenë pro që të kemi një kandidat konsensual për president, por deri më tani nuk e patë, kemi qenë me zemër që nëse është dikush nga familja Jashari që të jemi për, por e pamë qëndrimin dhe ne e respektojmë”, tha Lushtaku.

“Ne e respektojmë çdo familje të respektuar, edhe Andin Hotin që e kam pasur kolegë, por besoj dihet që ai është vartës i partisë në pushtet dhe derisa është në LVV ne nuk kemi vota për të”, u shpreh Lushtaku kur u pyet nëse do ta përkrahnin Hotin.

Ai tha se derisa nuk ka një marrëveshje, nuk do të qëndrojnë në sallë. /Zëri