Prokuroria jep detaje pas arrestimit të reperit “Mossi” dhe dy të tjerëve për sulm ndaj gazetarit

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur se në kuadër të hetimeve intensive dhe me vendim të prokurorit të Shtetit, janë ndaluar tre persona të dyshuar në kohëzgjatje prej 48 orësh.

Njëri nga të dyshuarit është edhe reperi i njohur me nofkën “Mossi’’, i cili dyshohet për kryerjen e veprës penale “Lëndim i lehtë trupor’’, “Posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge’’, si dhe veprës penale “Kanosje”, transmeton Zeri.info.

Të dyshuarit janë ndaluar lidhur me një rast të sulmit fizik të dyshuar ndaj gazetarit Burim Pacolli.

“Prokurori i Shtetit, brenda afatit të përcaktuar ligjor, do të parashtrojë kërkesë në gjykatën kompetente për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit. Prokuroria Themelore në Prishtinë mbetet e përkushtuar në trajtimin me prioritet të rasteve që cenojnë sigurinë dhe integritetin e qytetarëve, si dhe do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore në përputhje me kompetencat e saj”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë. /Zëri