Shahini: Konflikti në Lindjen e Mesme rrezikon tregjet globale dhe godet drejtpërdrejt ekonominë e Kosovës
Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini, ka paralajmëruar për pasojat ekonomike që mund të sjellë përshkallëzimi i konfliktit në Lindjen e Mesme, duke theksuar se Kosova është veçanërisht e cenueshme për shkak të mungesës së rezervave shtetërore të energjisë.
Shahini tha se situata aktuale në Lindjen e Mesme po çrregullon tregjet në mbarë botën, ndërsa ndikimi në Kosovë pritet të jetë edhe më i ndjeshëm.
“Situata aktuale në Lindjen e Mesme do të çrregullojë tregje në tërë botën e sidomos në Kosovë, ku ne nuk kemi rezerva të energjisë së lëngët, që është nafta, dhe sot ka pasur lëvizje të çmimit të naftës”, u shpreh ai për FrontOnline.
Sipas tij, këto zhvillime dëshmojnë rëndësinë jetike të krijimit të rezervave shtetërore.
“Kjo tregon se sa janë të rëndësishme rezervat shtetërore për të mbajtur qytetarin me rezerva. Luftërat e paparapara bëjnë çrregullime globale ekonomike dhe këto i paguajnë qytetarët kudo që janë”, theksoi Shahini.
Ai shtoi se një pjesë e madhe e furnizimit botëror me naftë vjen nga shtetet arabe dhe se aktualisht ekziston rrezik serioz për zinxhirin e furnizimit, për shkak të pasigurisë në transportin detar.
“Shtetet arabe furnizojnë pothuajse një përqindje të madhe të botës me naftë dhe tash është rrezikuar furnizimi përmes tankerëve, gjë që ndikon drejtpërdrejt në rritjen e kostove”, deklaroi ai.