Paralajmërohet protestë nga Sindikata e “Prishtina Parkingut”

Sindikata e “Prishtina Parkingut” ka njoftuar se do të organizojë protestë më 6 mars, nëse deri më 5 mars nuk plotësohen kërkesat e paraqitura ndaj Bordit dhe menaxhmentit të ndërmarrjes.

Vendimi është marrë në mbledhjen e Kryesisë së Sindikatës, të mbajtur më 27 shkurt, pas dështimit për të arritur marrëveshje lidhur me rritjen e pagave dhe çështje të tjera të ngritura nga përfaqësuesit e punëtorëve.

Sipas njoftimit, kërkesat kryesore të Sindikatës përfshijnë rritjen e pagës së punëtorëve në vlerë prej 300 euro, në përputhje me koston e jetesës; kryerjen e menjëhershme të pagesave të obligimeve ndaj sindikatës sipas marrëveshjeve dhe legjislacionit në fuqi; shlyerjen e borxhit prej 250 euro për muajin shtator; sigurimin e shujtave për punëtorët në përputhje me natyrën dhe kushtet e punës; si dhe rregullimin dhe pagesën e sigurimit shëndetësor për të gjithë punëtorët.

Në njoftim bëhet e ditur se protesta do të mbahet më 6 mars, duke filluar nga ora 11:00, në Prishtinë, para zyrave të “Prishtina Parkingut” në rrugën “Besa Imami”.

Sindikata thekson se vendimi për protestë është marrë me qëllim të mbrojtjes së të drejtave dhe interesave të punëtorëve të ndërmarrjes.