Rashiq: Askush nuk dëshiron zgjedhje të reja

Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, theksoi se kompromiset janë të pashmangshme dhe se askush nuk dëshiron zgjedhje të reja.

Ai pret më shumë kandidatë dhe numër të mjaftueshëm deputetësh për mbajtjen e seancës, duke dërguar mesazhin se çdo opsion tjetër do të sillte komplikime të paparashikueshme.

Nenad Rashiq, ministër për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, deklaroi se pa dyshim do të ketë kompromise lidhur me kandidatët për zgjedhjen e presidentit të Kosovës.

“Në këtë moment, asnjë partie politike nuk i konvenojnë tensionet, madje as debatet për zgjedhje të reja. Mendoj se qytetarët janë të lodhur nga zgjedhjet dhe partitë politike e dinë mirë këtë. Politikanët më me përvojë e kuptojnë se në këtë rast duhet të bisedojmë për kandidatët. Është e nevojshme të merret përgjegjësia dhe të jemi në Kuvend për ta përfunduar këtë proces”, tha Rashiqi për RTK.

Ai shtoi se çdo opsion tjetër do të çonte në situata shumë më të ndërlikuara, të cilat në këtë moment nuk janë të nevojshme.

“Pres që të kemi dy kandidatë, ose edhe më shumë, të propozuar nga subjekte të ndryshme politike. Ekzistojnë disa kandidatë potencialë, ndonëse kandidaturat e tyre ende nuk janë bërë publike, gjë që pritet të ndodhë brenda tri ditëve të ardhshme, pasi të mërkurën skadon afati për zgjedhjen e presidentit. Nëse ka më shumë kandidatë, secili ka të drejtë të vendosë për kë do të votojë. Jam i bindur se votimi do të realizohet dhe se të paktën 80 deputetë do të marrin pjesë në punimet e seancës. Sipas mendimit tim, kjo do të ndodhë, sepse çdo opsion tjetër do të prodhonte komplikime të paparashikueshme”, theksoi ai.

Rashiqi kujtoi gjithashtu se Lëvizja Vetëvendosje në zgjedhjet e mëparshme ka fituar 57 ulëse në Kuvendin e Kosovës dhe se, sipas tij, është normale që kjo parti të ketë kandidatin e saj për president.