Apeli e kthen në rigjykim rastin e të akuzuarve për përvetësimin e mbi 1 milion eurove

Gjykata e Apelit e ka kthyer në rigjykim rastin për përvetësimin e mbi 1 milion eurove, ku akuzohen Mendim Sojeva dhe Ganimete Gashi-Ahmeti.

Themelorja i kishte liruar nga akuza.

Në këtë rast, zyrtari i Agjencisë së Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale (AKPPM), Mendim Sojeva akuzohet për veprën penale “Përvetësimi në detyrë” dhe në bashkëkryerje me zyrtaren e Ministrisë së Shëndetësisë (MSH), Ganimete Gashi-Ahmeti, akuzohen për “Hyrje në sisteme kompjuterike”.

Gjykata Themelore në Prishtinë më 5 maj 2025, kishte shpallur aktgjykim lirues ndaj të akuzuarve Sojeva dhe Gashi-Ahmeti.

Gjykata e Apelit ka aprovuar ankesën e PSRK-së, duke anuluar vendimin e shkallës së parë dhe e ktheu këtë çështje penale në rigjykim.

“Me aprovimin e ankesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës dhe sipas detyrës zyrtare, ANULOHET aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special dhe çështja penale kthehet për rigjykim dhe vendosje”, thuhet në dispozitiv të këtij vendimi.

Kundër aktgjykimit të Themelores, ankesë kishte parashtruar Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, për shkak të shkeljes esenciale të dispozitave të procedurës penale, vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, si dhe shkeljeve të Ligjit Penal, duke propozuar që aktgjykimi i Themelores të ndryshohet dhe të akuzuarit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit, ose që aktgjykimi të anulohet dhe çështja të kthehet në shkallën e parë në rigjykim.

Ndërsa, Prokuroria e Apelit përmes parashtresës ka propozuar që ankesa e Prokurorisë Speciale të aprovohet si e bazuar.

Kurse, mbrojtësi i të akuzuarit Sojeva, avokati Ali Beka përmes përgjigjes me shkrim ndaj ankesës së Prokurorisë, kishte propozuar që ankesa të refuzohet si e pabazuar dhe që aktgjykimi i ankimuar të vërtetohet në tërësi.

Në vendimin e 29 janarit 2026, Apeli ka theksuar se aktgjykimi i ankimuar është i përfshirë në shkelje të dispozitave procedurale, si dhe në vërtetim të gabuar të gjendjes faktike.

“Gjykata e Apelit, pasi shqyrtoi aktgjykimin e ankimuar, sipas ankesës së prokurorisë dhe propozimin e Prokurorisë së Apelit, dhe sipas detyrës zyrtare, konstatoi se aktgjykimi i ankimuar është i përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe se gjendja faktike është vërtetuar në mënyrë të gabuar dhe nuk është vërtetuar në mënyrë të plotë”, thuhet në vendim.

Sipas këtij vendimi, kolegji i kësaj gjykate ka gjetur shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale për shkak të mungesës së arsyetimit lidhur me faktet vendimtare të çështjes.

Apeli thekson se nga shqyrtimi i aktgjykimit, rezulton se gjykata e shkallës së parë i ka vlerësuar deklaratat e dëshmitarëve, por nuk ka arsyetuar lidhjen e tyre me provat materiale dhe me gjendjen faktike.

Po ashtu, kolegji i Apelit ka vërejtur se aktgjykimi i kontestuar nuk ka dhënë arsyetim të mjaftueshëm në raport me faktet vendimtare që përbëjnë veprën penale dhe lidhjen e tyre me përgjegjësinë e të akuzuarit Sojeva, veçanërisht për aspektet që lidhen me detyrimet dhe përgjegjësitë e tij si person zyrtar, si dhe me pozitën, funksionet dhe kompetencat brenda Ministrisë së Shëndetësisë – (AKPPM).

Sipas Apelit, në konstatimin e shkallës së parë se nuk është provuar që i akuzuari ka kryer veprën penale të përvetësimit në detyrë, nuk është dhënë arsyetim i qartë dhe i plotë lidhur me mënyrën se si ka arritur në këtë përfundim, duke mos shpjeguar arsyet për nxjerrjen e aktgjykimit lirues.

Kurse, për pikën II të aktakuzës, lidhur me veprën penale “Hyrje në sistemet kompjuterike”, kolegji i Apelit ka konstatuar se aktgjykimi i kontestuar është përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe nuk përmban një arsyetim të qartë lidhur me faktet kryesore të çështjes, në raport me veprën penale dhe kryerësit e saj.

Ndërsa, lidhur me gjendjen faktike, sipas kolegjit të Apelit, gjendja faktike nuk është vërtetuar në mënyrë të plotë dhe, për rrjedhojë, edhe faktet janë konstatuar gabimisht, gjë që rrjedh si pasojë e shkeljes esenciale të dispozitave të procedurës penale, për faktin se një numër i provave materiale dhe personale, të administruara gjatë gjykimit, nuk janë vlerësuar fare dhe nuk janë marrë si bazë gjatë vendimmarrjes.

Ndryshe, sipas aktakuzës së përpiluar më 6 tetor 2020, i akuzuari Mendim Sojeva akuzohet se në cilësinë e udhëheqësit të divizionit për buxhet dhe financa në AKPPM, në periudhën prej vitit 2014 e deri në mars 2018, kishtepërvetësuar paratë e tërhequra në emër të avancave përudhëtime zyrtare të zyrtarëve të AKPPM-së.

Sipas PSRK-së, këto avanca i ishin besuar të akuzuarit Sojevanë menaxhim sipas pozitës së tij, ku shumën e përgjithshme prej 1 milion e 355 mijë e 441 euro e 14 centë, të tërhequra nga zyrtari i Ministrisë së Shëndetësisë (MSh), Fatmir Kajtazi, e kishte pranuar i akuzuari Sojeva, duke nënshkruar në fletë-tërheqje me rastin e pranimit për shumën 1 milion e 221 mijë e 501 euro e 14 centë, por për të cilat nuk ka dëshmi se ishin respektuar procedurat për tërheqje.

Në aktakuzë përmenden shuma të ndryshme të parave.

Për disa prej tyre, thuhet se ekziston dokumentacion i kompletuar, ndërsa për disa të tjera jo, ku vetëm në vitin 2017, sipas prokurorisë, në emër të 40 zyrtarëve të AKPPM-së, ishin tërhequr 290 mijë e 430 euro, të cilët zyrtarë e kishin mohuar se i kishin pranuar këto shuma dhe se nuk ka dëshmi përpranim nga ana e tyre në emër të MSh-së.

E gjithë kjo shumë e avancave, sipas PSRK-së, ishte zotuar në Sistemin Informativ të Financave të Kosovës (SIMFK) me ID të përdoruesve Shkelzen Sadriu në vlerë 1 milion e 238 mijë e 764 euro, me ID të përdoruesit Naime Shahini-Feta shuma prej 173 mijë e 305 euro, të cilët zyrtarë kishin mohuar se kishin bërë këto shuma të zotimeve, duke dyshuar në tëakuzuarin Sojeva, i cili sipas tyre i kishte keqpërdorur fjalëkalimet e tyre.

Po ashtu, në aktakuzë thuhet se regjistrimi i shpenzimeve për avancat në SIMFK ishte bërë me ID të Dhurata Alihajdaraj–Veseli, shuma prej 553 mijë e 269 euro, me ID të Thesarit, Ibadete Shala shuma prej 156 mijë e 750 euro dhe Bali Morina shuma prej 20 mijë e 850 euro, të cilët kishin mohuarse kishin bërë regjistrim të shpenzimeve të avancave duke e akuzuar të akuzuarin për keqpërdorim të fjalëkalimeve të tyre.

Sipas aktakuzës, aprovimi i tërheqjes ishte bërë nga zyrtari kryesor financiar në MSh, Musa Rexhaj dhe ushtruesi i detyrës së zyrtarit kryesor financiar Hajzer Dobra, kurse nga e gjithë shuma e tërhequr, të përdoruesit të të akuzuarit Sojeva ishin certifikuar 779 mijë e 289 euro, për të cilat në AKPPM, nuk ekziston dokumentacion për arsyetimin e tyre.

Nga shuma prej 1 milion e 355 mijë e 441 euro e 14 centë, të tërhequra në emër të avancave, për 133 mijë e 940 euro, ekziston dokumentacion i kompletuar dhe gjysmë i kompletuar, kurse për avancat e tërhequra në vlerë prej 1 milion e 221 mijë e 501 euro e 14 centë, përveç fletë-tërheqjeve të siguruara nga AKPPM dhe NLB, e tënënshkruara nga i akuzuari se i kishte pranuar, në AKPPM nuk ekziston asnjë dokumentacion se ato avanca ishin miratuar apo aprovuar nga menaxhmenti apo se cili zyrtar i kishte pranuar.

Kjo shumë e paarsyetuar si dëshmi, sipas PSRK-së ishte përvetësuar nga i akuzuari Sojeva, i cili i kishte pranuar ato para, duke i shkaktuar dëm buxhetit të AKPPM-së – Republikës së Kosovës.

Po ashtu, sipas PSRK-së, Sojeva në cilësinë e zyrtarit certifikues për qasje në SIMFK dhe Ganimete Gashi-Ahmeti si zyrtare shpenzuese për qasje në këtë sistem, nga 7 shkurti e deri më 12 shkurt 2018, përmes ueb-shfletuesit “Internet Explorer”, kishin hyrë në këtë sistem me fjalëkalim të personave zyrtarë të Ministrisë së Financave, kishin mbyllur avancat duke bërë regjistrimet si shpenzim dhe certifikim të avancave për udhëtime zyrtare të tërhequra nga banka të emër të zyrtarëve të AKPPM-së me user të Bali Morinës.

Kështu, të njëjtit pretendohet se kishin regjistruar kuponë shpenzimi në vlerë 20 mijë e 850 euro, ndërsa në emër të Ibadete Shalës kishin regjistruar si shpenzim i avancave për udhëtime zyrtare 72 kuponë në vlerë 154 mijë e 736 euro e 84 centë, në shumë të përgjithshme 175 mijë e 586 euro e 84 centë, me user të të akuzuarit Sojeva, duke u munduar të arsyetojnë këtë shumë të avancave të tërhequra nga Banka NLB, në emër të zyrtarëve të AKPPM-së.

Për këto veprime, Sojeva ngarkohet me veprat penale“Përvetësimi në detyrë”, dhe në bashkëkryerje me të akuzuarën Ganimete Gashi–Ahmeti edhe për veprën penale “Hyrje në sistemet kompjuterike”. /BetimipërDrejtësi