Zbulohen mallra mbi 500 mijë euro të dyshuara për kontrabandë në Prishtinë

Zyrtarët e Dogana e Kosovës kanë zbuluar mallra në vlerë mbi 500 mijë euro, të dyshuara për kontrabandë, gjatë një aksioni të realizuar sot, më 27 shkurt 2026, në periferi të Prishtinës.

Sipas njoftimit zyrtar, kontrolli është kryer pas informacioneve të siguruara përmes rrugëve operative, në një depo ku ekzistonte dyshimi për prani të mallrave të kontrabanduara. Veprimet janë zhvilluar në përputhje me autorizimet që rrjedhin nga Kodi Doganor i Republikës së Kosovës.

Gjatë kontrollit në terren është konstatuar një sasi e konsiderueshme mbathjesh me marka të mbrojtura tregtare. Autoritetet kanë bërë të ditur se depoja nuk ishte e regjistruar si biznes dhe nuk posedonte dokumentacion që do të dëshmonte prejardhjen e mallit.

Lidhur me rastin është njoftuar Prokuroria Themelore në Prishtinë, e cila ka udhëzuar ndërmarrjen e veprimeve të mëtejshme hetimore.

Aktualisht, malli është në proces sekuestrimi dhe inventarizimi, ndërsa vlera e përafërt e tij vlerësohet të jetë mbi 500 mijë euro.

Dogana e Kosovës ka theksuar se mbetet e përkushtuar në luftimin e kontrabandës dhe në mbrojtjen e ekonomisë formale, konkurrencës së ndershme dhe të drejtave të pronësisë intelektuale./Zëri