Kuvendi i Kosovës hap konkurs për dy gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese

Kuvendi i Kosovës ka shpallur thirrjen publike për nominimin e dy gjyqtarëve për Gjykatën Kushtetuese.

“Komisioni i posaçëm për shqyrtimin e kandidatëve për emërim në Gjykatën Kushtetuese, në pajtim me Nenin 114.1 të Kushtetutës dhe me nenet 4 dhe 6, të Ligjit Nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, fton Kuvendin e Republikës së Kosovës, institucionet gjyqësore, fakultetet juridike, Odën e Avokatëve, Shoqatën e Gjyqtarëve dhe të Prokurorëve, partitë politike, personat e tjerë relevantë juridikë dhe individët, që të propozojnë kandidatë për zgjedhjen e dy (2) gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës. Po ashtu, një person mund të propozojë veten për kandidat”, thuhet në thirrje.

Komisioni në mënyrë të veçantë inkurajon gratë për të aplikuar.

Kualifikimet:

Kandidatët për pozitën e gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese, duhet të jenë shtetas të Republikës së Kosovës; juristë të shquar me reputacion të shkëlqyeshëm profesional, me jo më pak se 10 (dhjetë) vjet përvojë pune profesionale, veçanërisht në fushën e së drejtës publike dhe kushtetuese të dëshmuar, mes të tjerash, përmes punës profesionale si gjyqtarë, prokurorë, avokatë, shërbyes civilë ose mësimdhënës universitarë dhe punë të tjera të rëndësishme të natyrës juridike, individë me reputacion të shkëlqyeshëm moral, të cilët kanë aftësi të plotë veprimi dhe të cilët nuk janë dënuar për ndonjë vepër penale.

Të gjitha propozimeve dhe aplikacioneve për nominime duhet t’u bashkëngjiten dokumentet si vijon:

Formulari për nominimin e kandidatit;

Formular të deklarimit të të nominuarit;

Curriculum Vitae (C.V) (autobiografia);

Letra e motivimit nga organizata ose institucioni propozues;

Dëshmia se është shtetas i Republikës së Kosovës;

Dëshmia për përgatitjen shkollore dhe profesionale;

Dëshmia për përvojën e punës;

Dëshmia se nuk janë të dënuar për ndonjë vepër penale.

Nominimet dhe aplikacionet duhet të dërgohen jo më vonë se deri më 17 mars 2026, në orën 16:00.