Prokuroria përfundon deklaratën hapëse, kërkon dënimin e të akuzuarve

ZPS-ja përmbylli deklaratën hapëse, duke argumentuar se provat e saj ndaj pesë të akuzuarve janë “bindëse”.

“Ata kanë kryer vazhdueshëm krimet e përmendura në aktakuzë me vetëdije dhe kërkojmë që ata të dënohen në përputhje me ligjin”, tha ZPS-ja.

ZPS: Udhëzimet e Thaçit kishin në shënjestër dëshmitarë specifikë

Prokurori Joshua Hafetz në nisje të fjalës së tij shfaqi fragmente të bisedave të incizuara në Hagë, gjatë takimeve të Thaçit me vizitorët e tij, duke përfshirë disa nga të akuzuarit, ku ai pretendoi se është tentuar të ndikohej te dëshmitarët.

“ZPS-ja do të tregojë se udhëzimet e Thaçit kishin një shënjestër: shënjestër ishin dëshmitarët specifikë, dëshmia e të cilëve, sipas Thaçit përbënte kërcënim”, tha ai duke shtuar se synimi ishte të shmangej ky kërcënim.

Sipas tij, motivi i Thaçit ishte se ai “nëse gjendet fajtor” në rastin për krime lufte, “do të dënohet me burgim të gjatë” dhe prandaj, sipas ZPS-së, ai përdori mënyra për të ndërhyrë në drejtësi.

“Provat do të tregojnë se sapo filloi çështja [për krime lufte] Thaçi u përqendrua në pengim të dëshmive të dëshmitarëve që mund ta dëmtonin mbrojtjen e tij. Thaçi kishte dy lloj dëshmitarësh. Të parët ishin personat e brendshëm të UÇK-së, që në mënyrë të veçantë i identifikoi Thaçi, që mendoi se ishin vendimtar në gjykimin ndaj tij, të cilët duhet të flisnin për strukturën e UÇK-së dhe rolin drejtues të Thaçit. Lloji i dytë ishin dëshmitarët viktima që mund ta implikonin atë”, tha prokurori. /REL

Prokurorja e Specializuar: Askush mbi ligjin, prova të shumta në gjyqin “Thaçi dhe të tjerët” për pengim të drejtësisë

Sot, në hapjen e gjykimit “Thaçi dhe të tjerët” për administrim të drejtësisë, në deklaratën e saj hyrëse, prokurorja e specializuar Kimberly West theksoi se ish-presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe të bashkakuzuarit e tij kanë “shkelur vendime gjyqësore të hartuara për të siguruar që dëshmitarët dhe viktimat të mund të dëshmojnë lirshëm” dhe se sjellja e tillë është “goditje kundër sundimit të ligjit”.

Ish-kryetari Thaçi akuzohet se në mënyrë të përsëritur dhe sistematike tentoi të ndërhyjë ndaj dëshmive të dëshmitarëve, duke dhënë udhëzime se si duhet të dëshmojnë dëshmitarët në çështjen gjyqësore tjetër kundër tij për krime lufte, dhe duke shkelur një numër urdhrash gjyqësorë që synojnë mbrojtjen e informacionit konfidencial në lidhje me dëshmitarët.

Të bashkakuzuarit e tij – Bashkim Smakaj, Isni Kilaj, Fadil Fazliu dhe Hajredin Kuçi – akuzohen për pjesëmarrje të paligjshme në një ose më shumë prej këtyre veprave penale.

Të akuzuarit “shkelën qëllimisht vendime gjyqësore të hartuara për të garantuar se dëshmitarët dhe viktimat mund të dëshmojnë lirshëm, pa frikë dhe pa ndikim, dhe të kenë besimin se identitetet dhe fjalët e tyre do të mbeten konfidenciale për gjykatën dhe palët”, tha prokurorja e specializuar.

“Kjo sjellje përbën rrezik të qartë dhe të pranishëm për sundimin e ligjit, sipas të cilit dëshmitarët duhet të jenë në gjendje të vijnë në gjykatë dhe të rrëfejnë përjetimet e tyre pa trysni, ndikim apo ndërhyrje”, tha znj. Uest. “Është me rëndësi për trashëgiminë e këtij institucioni që këto fakte të gjykohen dhe të shpallen publikisht, në mënyrë që të dokumentohen të dhëna të vërteta dhe të besueshme.

“Mbështetja e sundimit të ligjit do të thotë se askush nuk është mbi ligjin. Ligji vlen për të gjithë njëlloj dhe secili është përgjegjës para tij”, tha Prokurorja e Specializuar.

Krahas audioincizimeve të autorizuara nga Gjykata ku të akuzuarit diskutojnë planin e tyre për të ndërhyrë ndaj dëshmive të dëshmitarëve, ndër provat që do të paraqesë ZPS-ja në gjyq përfshihen: (i) prova elektronike, përfshirë nga telefona mobilë të sekuestruar, të cilat konfirmojnë bisedat e incizuara të akuzuarve, dhe (ii) prova fizike, përfshirë dokumente që lidhen me vënien në shënjestër të dëshmitarëve për ndërhyrje, të cilat u konfiskuan në vendbanimet e disa prej të bashkakuzuarve të tij.

Tre dëshmitarë të Prokurorisë janë planifikuar të japin dëshmi gjatë gjykimit, përfshirë dëshmi ekspertësh në lidhje me prejardhjen e dokumenteve të sekuestruara dhe një dëshmitar që do të dëshmojë në lidhje me ekzaminimin e pajisjeve elektronike të sekuestruara gjatë hetimit. /Zëri

Thaçi dhe të tjerët deklarohen të pafajshëm rreth akuzave për pengim të drejtësisë

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë po mbahet seanca për deklaratat hyrëse në rastin kundër Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit, të cilët akuzohen për pengim të drejtësisë.

Në këtë seancë gjykatësi ka pyetur të akuzuarit të tregojnë nëse e kuptojnë aktakuzën dhe nëse janë fajtorë ose jo.

Të gjithë u deklaruan sërish të pafajshëm.

Më pas gjykatësi i informoi ata për të drejtat e tyre para gjykatës, që përfshin të drejtën e tyre për të mos u deklaruar, të mos detyrohen të pranojnë fajësinë ose të japin dëshmi, të mos inkriminojnë veten ose anëtarët e familjes, të kenë avokatë, të gjykohen në një kohë të arsyeshme etj.

Nis seanca ndaj Thaçit, Smakajt, Kilajt, Fazliut dhe Kuçit në Hagë

Në Hagë ka nisur seanca e deklaratave hyrëse në rastin për pengim të drejtësisë.

Në këtë seancë do të shpalosen deklaratat hyrëse në rastin kundër Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit, të cilët akuzohen për pengim të drejtësisë.

Sipas aktakuzës, ish-presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dyshohet se ka bashkërenduar “tri grupe të veçanta” së bashku me Kilajn, Kuçin dhe Fazliun për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve të Prokurorisë së Specializuar në rastin kundër tij dhe ish-eprorëve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, që akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzit. Gjykimi për krime lufte është përmbyllur dhe tani çështja është në dorën e trupit gjykues.