Kosova kryeson në rajon për perceptimin e sigurisë, sipas raportit “SecuriMeter 2025”

Kosova renditet ndër vendet me nivelin më të lartë të perceptimit të sigurisë në Ballkanin Perëndimor, sipas gjetjeve të raportit rajonal “SecuriMeter 2025”, të realizuar nga Regional Cooperation Council.

Ministria e Punëve të Brendshme e ka vlerësuar lart raportin, duke e cilësuar atë si dëshmi të progresit në fushën e sigurisë publike dhe të rritjes së besimit në institucionet shtetërore.

Sipas të dhënave, 64 për qind e qytetarëve në Kosovë deklarojnë se ndihen të sigurt, duke e pozicionuar vendin në krye të rajonit për perceptimin e sigurisë personale. Në të njëjtën kohë, raporti thekson se disa vende të tjera të Ballkanit Perëndimor kanë shënuar rënie të ndjesisë së sigurisë.

Në aspektin institucional, 70.6 për qind e qytetarëve shprehin besim në polici, ndërsa 74.6 për qind në ushtri. Po ashtu, evidentohet një nivel i lartë kënaqësie me prezencën dhe patrullimet policore në hapësira publike, si dhe niveli më i ulët në rajon i perceptimit për ndërhyrje të padrejta të institucioneve të sigurisë në jetën private.

Raporti trajton edhe dimensionin ekonomik dhe social. Sipas tij, 58.4 për qind e qytetarëve e konsiderojnë Kosovën vend të sigurt për të jetuar, ndërsa 80.5 për qind deklarojnë se nuk kanë plan të emigrojnë – një rritje e ndjeshme krahasuar me vitet paraprake.

Në gjetjet kryesore theksohet se qytetarët e Kosovës shfaqin nivelin më të ulët të shqetësimit në rajon lidhur me qeverisjen, korrupsionin dhe ndikimet e jashtme, duke reflektuar përmirësim të perceptimit për luftën kundër korrupsionit dhe forcimin e sundimit të ligjit.

Sa i përket migracionit, raporti vëren se ardhja e të huajve nuk perceptohet si kërcënim për sigurinë apo stabilitetin ekonomik. Gjatë vitit 2024 janë lëshuar 8,293 leje qëndrimi për shtetas të huaj, prej të cilave 3,974 për qëllime punësimi, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe standardet evropiane.

Raporti konstaton gjithashtu orientimin e qartë euro-atlantik të qytetarëve të Kosovës. Besimi në anëtarësimin në Bashkimi Evropian arrin në 71 për qind, ndërsa mbështetja për anëtarësim në NATO shkon në 90.8 për qind.

Ministria e Punëve të Brendshme ka theksuar se do të vazhdojë me thellimin e reformave në sektorin e sigurisë, forcimin e sundimit të ligjit dhe garantimin e sigurisë dhe barazisë për të gjithë qytetarët./Zëri