Ultashi priti përfaqësuesin special të Hungarisë, diskutohet situata e sigurisë në Kosovë

Komandanti i KFOR-it, Ozkan Ultash, ka pritur në takim Zsolt Bunford, emisarin special të kryeministrit të Hungarisë, Viktor Orban për Ballkanin Perëndimor.

Sipas njoftimit të KFOR-it, gjatë takimit u diskutua për sigurinë në rajon duke theksuar angazhimin e KFOR-it për një mjedis të sigurt në Kosovë.

“Sot, Komandanti i misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO, Gjenerali, Ozkan Ulutash, priti përfaqësuesin e posaçëm për Ballkanin Perëndimor të Kryeministrit të Hungarisë, Z. Zsolt Bunford, në Shtabin e KFOR-it në Kampin Film City, Prishtinë. Gjatë takimit, Komandanti pati mundësinë të paraqesë situatën e sigurisë në rajon, duke theksuar angazhimin e KFOR-it për të ruajtur një mjedis të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës”, thuhet në njoftim.

Gjenerali Ulutash shprehu gjithashtu mirënjohjen e tij të sinqertë për kontributet e gjatë të Hungarisë në misionin e KFOR-it.