Murat Jashari mohon të jetë duke synuar të bëhet President: Ua kam tregu arsyet pse une nuk e bëj këtë

“Ka konsensus (pajtim të përgjithshëm) që për president të vjen dikush nga familja e nderuar Jashari”, tha sot i dyti i qeverisë, kryediplomati Glauk Konjufca.

Kjo si deklarimi i parë i hapur i Qeverisë së Kosovës se kush mund të jetë në karrigen presidenciale të shtetit, pozitë kjo e cila duhet të zgjidhet deri më 5 mars; ose vendi rrezikon zgjedhje të reja.

Nga familja Jashari, për herë të parë, është deklaruar Murat Jashari, juristi dhe profesori universitar.

Murati Jashari, i përfoluri i kahershëm si i parapëlqyer i Vetëvendosjes, ka mohuar të jetë duke e konsideruar që të ngjitet në postin e të parit të shtetit.

Ai për “Vox Kosova” e ka mohuar.

“Në momente të caktume do ta jap një prononcim. Më shumë se gjithçka si Murat, është emri i Familjes Jashari. Është barrë e madhe mbi supe, dhe unë nuk e kam të drejtën as morale as profesionale emrin e familjes Jashari për poste publike. Unë kam detyrë...prandaj edhe skam dal mu prononcu. Emri i im sa i përket kësaj çështje vjen në vazhdimësi, është përmend saherë që ka ardh në pikëpyetje presidenti. E kam sqaru që s’kam ambicie politike. Familja Jashari ju takon të gjithë shqiptarëve...në mes të qenurit në pozita publike dhe profesionit që kam, unë zgjedh këtë që kam...runa zot naj lufte civile apo rreziku të madh kombëtar ku cenohet bërthama e kombit tonë, atëherë kush jam une mos me sakrifiku për këtë vend. Ama jo me keqpërdorë emrin e familjes Jashari”, tha ai.

Familja Jashari është përfolur të jenë të përzgjedhurit e Vetëvendosjes, dhe edhe me pajtimin të shprehur haptazi nga Partia Demokratike e Kosovës.

Konjufca tha sot para gazetarëve se “është konsensus automatik” mes partive që të jetë dikush nga familja Jashari.

“Natyrisht, emrat që kanë konsideru, dhe ky është një konsensus i partive politike. Deri tash, të vetmët emra që kanë shkaktu automatikisht një pritje pozitive, konsesus automatik, në shoqërinë tonë, është një president nga radhët e familjes të nderuar Jashari”, tha ai.

Në insistimin e gazetarëve se a ka pranim apo pëlqim nga familja Jashari për t’u kandiduar për president, Konjufca tha se duhet pyetur ata. “Nuk mund të flasë (a kanë vullnet ata), duhet t’i pyetni ata. Ka qenë kryeminitsri aty, ju ka shpjegu çka...”, ka thënë Konjufca.

Kryeministri Albin Kurti ditëve të fundit vizitoi konakun e Rifat Jasharit, por nuk dha shumë detaje për bisedën. Ai tha se takimi ishte lënë më herët, me rastin e përvjetorit të 18-të, dhe se diskutuan për zhvillime politike e çështje të ndryshme, duke theksuar se zgjidhja për presidentin duhet të vijë nga tri subjektet politike.

Ndërkohë, asnjë parti nuk ka kundërshtuar mundësinë që një anëtar i familjes Jashari të kandidojë për president. Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, u shpreh i kujdesshëm, duke theksuar respektin për kontributin e familjes dhe duke refuzuar të flasë për emra pa pasur një kandidaturë zyrtare në Kuvend. Ai shtoi se PDK nuk ndërhyn në zgjedhjet brenda familjes, duke përmendur se nuk do të veçonte mes Bashkimit, Bekimit apo Muratit.

Gazeta Nacionale ka raportuar se Kurti ka preferenca të qarta: ai favorizon Bashkim Jasharin, komandantin aktual të FSK-së, dhe Bekim Jasharin, ish-kryetar i Skenderajt, ndërsa nuk e preferon Murat Jasharin, profesor universitar.

Burimi i njëjtë pretendon se Murati është preferenca e Rifat Jasharit. Të tre janë figura me peshë brenda familjes legjendare Jashari, që mbetet simbol qendror në politikën dhe historinë e Kosovës.