Zogaj: Presidenti duhet zgjedhur me konsensus ose marrëveshje politike, jo me imponim

Deputeti i LDK-së, Alban Zogaj, ka dhënë qëndrimin e partisë së tij lidhur me zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës.

Ai tha se takimet dhe diskutimet për këtë çështje, edhe pse pak të vonuara, janë pritur me konstruktivitet.

Zogaj theksoi se LDK synon një president që mban kushtetutshmërinë e vendit, mbron drejtësinë dhe vlerat perëndimore, që është përtej partive politike dhe që ruan unitetin kombëtar.

Sipas tij, janë tri rrugë për zgjedhjen e presidentit, “e para ka qenë imponim i plotë, por kjo rrugë është eliminuar”.

“Tani na kanë mbetur dy rrugë për me zgjedh presidentin, e para konsensus i plotë politik, që nënkupton partitë ulën ne tavolinë dhe e gjejnë një emër të konsensusit që e pranojnë të gjithë dhe populli i Kosovës. Për këtë duhet me hy në atë proces, dhe nuk jemi akoma aty dhe kemi thënë se jemi për këtë proces, për një konsensus për ta gjetur. Nëse ka vullnet të plotë politik mundet me gjet zgjidhja dhe konsensusi. Partia fituese e zgjedhjeve e ka primatin e fillimit të procesit, ne e kemi thënë që jemi edhe për një rrugë tjetër ajo nënkupton marrëveshje politike mes dy partive politike për të zgjidh këtë problem”, ka deklaruar ai.

Zogaj theksoi se asnjë kandidat konkret nuk është vendosur ende, dhe se më parë duhet të vendoset se cilën rrugë do të ndjekin partitë.

Ai sqaroi gjithashtu se oferta e LDK-së për marrëveshje politike nuk nënkupton bashkim me qeverinë, por është një mënyrë për të gjetur një zgjidhje të përbashkët për zgjedhjen e presidentit.

“Jo detyrimisht, është ofertë për marrëveshje politike, për me u ulë me u marrë vesh e normalisht me marrëveshje politike pastaj pozicioni i presidentit i takon edhe LDK-së në parim, sepse VV me partnerët e kanë pushtetin në qeverisje nëse shkohet nga marrëveshja politike në parim i takon që LDK me propozu presidentin ose kandidatin për president.

Njëra prej këtyre rrugëve duhet të zgjidhet. Pastaj flitet për kandidaturat potenciale e para procesi që ne me u dakordu me cilën rrugë po shkojmë…. Ende nuk ka emra në tavolinë”, ka deklaruar tutje Zogaj. /dukagjini