Ndalohen për 48 orë katër instruktorë të poligonit “Dreni” në Prizren, dyshohen për falsifikim dokumentesh

Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda, ka njoftuar se ka ndaluar për 48 orë katër persona të angazhuar si punëtorë - instruktorë në poligonin e Drenit në Prizren, me inicialet S.B., R.M., H.N. dhe B.G.

Ata dyshohen për kryerjen e veprës penale “Falsifikim i dokumentit zyrtar”, si dhe për veprën penale “Rastet e posaçme të falsifikimit të dokumenteve”.

Sipas Prokurorisë, dyshimet lidhen me veprime të kryera në vazhdimësi që kanë lidhje me rastin në hetim ndaj zyrtarëve të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Prokuroria ka bërë të ditur se ndaj të dyshuarve do të ndërmerren veprimet e mëtejshme ligjore, ndërsa hetimet do të vazhdojnë në koordinim me Policinë e Kosovës. /Zëri