Konjufca: Zgjedhja e presidentit kërkon bashkëpunim mes pozitës dhe opozitës, jo votë të përvetësuar

Glauk Konjufca, ministër i Punëve të Jashtme, deklaroi se Kushtetuta e Kosovës ka vendosur një dallim të qartë mes mënyrës së zgjedhjes së qeverisë dhe të presidentit. Ai tha se për qeverinë mjaftojnë 61 vota, ndërsa për presidentin kërkohet një proces më gjithëpërfshirës, që të nxisë bashkëpunimin mes forcave politike.

“Sa i përket presidentit, ju e dini se Kushtetua jonë qëllimisht e ka bërë një dallim të rëndësishëm mes mënyrës së zgjedhjes së presidentit dhe qeverisë. Për qeverinë mjaftojnë 61 deputetë, por te presidenti kjo dallon. Ideja bazike ka qenë që një mazhorance e thjeshtë mos me pas garanci që vetëm me zgjedh presidentin, por një lloj bashkëpunimi me forcat e tjera politike. Kështu që kësaj radhe, ajo mazhorancë që është prej 66 numrave, ne jemi bindur se nuk ka mundësi që përmes një emri të njëanshëm ta marrim votën edhe të opozitës”, tha Konjufca.

Ai shtoi se nuk duan që përmes një emri të propozuar nga ta, të mbështesin për muri opozitën, transmeton Zeri.info.

“Ndoshta e kemi gabim, ndoshta mirë, por përmes një emri të përvetashëm ne mos me mbështet për muri opozitën. Pikërisht për këtë arsye Kurti ka takuar kryetarët e partive politike opozitare, të cilat i ka kryer, dhe unë mendoj se ky është lajm i mirë, është pjekuri e re e institucioneve tona, që së bashku të ulemi dhe ta kuptojmë njëri-tjetrin se çka po duam”, shtoi Konjufca.

Konjufca theksoi se qëllimi është të sigurohet një proces zgjedhor gjithëpërfshirës dhe të shmanget imponimi i një kandidati të vetëm, duke reflektuar pjekuri dhe dialog ndërinstitucional. /Zëri