Konjufca: Takimet me Shqipërinë janë vëllazërore - sa më i fortë koordinimi, aq më e sigurt rruga drejt BE-së

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri për Punët e Jashtme dhe Diasporën, Glauk Konjufca, deklaroi se marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë shkojnë përtej formateve klasike bilaterale, duke i cilësuar takimet me homologët shqiptarë si “vëllazërore”.

Në një konferencë të përbashkët me ministren për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Elisa Spiropali, Konjufca e quajti atë mike dhe theksoi se Shqipëria dhe Kosova “nuk janë të jashtme për njëra-tjetrën”.

“Takimet me homologë nga Shqipëria nuk janë si takime tipike bilaterale, sepse ne, ndonëse kemi ministri të jashtme, Shqipëria dhe Kosova nuk janë të jashtme për njëra-tjetrën. Vendet tona janë shumë më tepër dhe takimet tona janë vëllazërore, si takime të të njëjtit komb që më shumë sesa interesa ndërshtetërore, ndajnë fatin historik dhe politik”, tha Konjufca.

Ai përgëzoi Shqipërinë për, siç u shpreh, “hapat gjigantë” në procesin e integrimit evropian, duke theksuar se sa më i fortë të jetë koordinimi mes dy shteteve, aq më e sigurt do të jetë rruga e tyre drejt Bashkimit Evropian.

Sipas tij, gjatë takimit u diskutua për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit politik dhe ekonomik mes Kosovës dhe Shqipërisë, për koordinim të plotë në politikën e jashtme, si dhe për forcimin e kapaciteteve të brendshme diplomatike.

Konjufca nënvizoi se Kosova është e përkushtuar për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të nënshkruara ndër vite me Republikën e Shqipërisë, të cilat sipas tij janë mbi 140.

“Në këtë frymë diskutuam për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit politik dhe ekonomik, për koordinim të plotë në politikën e jashtme dhe për forcimin e kapaciteteve tona diplomatike. Shumë punë që kanë ndërlidhur fort republikat tona janë bërë gjatë mandateve të qeverive tona, e shumë të tjera presin të realizohen. Kosova është e përkushtuar për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve që kemi nënshkruar me Republikën e Shqipërisë dhe për afrimin e mëtejshëm të dy shteteve dhe shoqërive tona në çdo fushë të jetës”, tha ai.

Ai falënderoi Shqipërinë për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës, si në procesin e shtetndërtimit ashtu edhe në përfaqësimin e interesave të saj në arenën ndërkombëtare, përfshirë përpjekjet për anëtarësim në organizata të rëndësishme.

Konjufca theksoi se koordinimi mes dy vendeve do ta fuqizojë përpjekjen e Kosovës për anëtarësim në Council of Europe, për afrimin dhe anëtarësimin në NATO, si dhe në organizata të tjera ndërkombëtare.

“E ardhmja jonë, ashtu si e kaluara jonë, do të jenë të lidhura përgjithmonë. Sa më i fortë që të jetë koordinimi ynë, aq më e sigurt do të jetë rruga jonë drejt Bashkimit Evropian”, përfundoi ai.