Ligji për çmimet tavan, nga votimi në Kuvend te shpallja e pavlefshmërisë dhe përpjekjet e reja

Më 8 nëntor 2022 deputetët e Kuvendit të Kosovës miratuan në lexim të dytë Ligjin për masat e përkohshme të produkteve bazike, me 64 vota për, asnjë kundër e asnjë abstenim.

Ky ligj parashikonte caktimin e çmimit tavan për disa produkte të rëndësishme të përditshme, si drithërat, buka, mielli, orizi, vajrat ushqimore dhe produktet e higjienës personale, në raste të veçanta të destabilizimit të tregut.

Megjithatë, ky vendim u përball me kundërshtime të forta nga deputetët e opozitës, të cilët e konsideronin ligjin si antikushtetues dhe në kundërshtim me parimet e ekonomisë së tregut të lirë.

Deputetët e Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Driton Selmanaj dhe Besian Mustafa, e dorëzuan ligjin në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtim.

Në vitin 2023, Gjykata Kushtetuese shpalli Ligjin për çmimet tavan të pavlefshëm, duke argumentuar se ai nuk ishte në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

Në arsyetimin e saj, Gjykata theksoi se masa nuk mund të jetë në përputhje me parimet themelore të funksionimit të tregut dhe lirisë së konkurrencës, të cilat janë të garantuara nga Kushtetuta e vendit.

Sipas Qeverisë, ky ligj ishte hartuar për të parandaluar rritjet e paarsyeshme të çmimeve bazë dhe për të mbrojtur konsumatorët, duke marrë parasysh ankesat e shumta nga qytetarët lidhur me rritjen e menjëhershme të çmimeve të produkteve bazike.

Ligji parashikonte që në rast të destabilizimit të tregut, të mund të ndërhyhej për të mbajtur çmimet e produkteve të rëndësishme nën kontroll, duke garantuar stabilitetin ekonomik.

Pas shpalljes së pavlefshmërisë së ligjit nga Gjykata Kushtetuese, Qeveria e Kosovës mori hapa të rinj për të adresuar nevojën për mbrojtjen e konsumatorëve dhe për të ruajtur ekuilibrin ekonomik në rast të krizave.

Më 20 shkurt 2026, Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, nënshkroi iniciativën për fillimin e procedurave për një projektligj të ri për masat e përkohshme të produkteve themelore në raste krizash ekonomike, që përsëri përfshin parashikimin e çmimeve tavan.

Ministrja Kusari-Lila theksoi rëndësinë e këtij projektligji, duke e konsideruar atë si një hap të domosdoshëm për të mbrojtur konsumatorin dhe garantuar stabilitetin në treg. Ajo theksoi se ligji i ri do të krijonte një bazë ligjore për ndërhyrje të shpejtë dhe të drejtë në rast të rritjeve të papritura të çmimeve, mungesave të produkteve dhe çrregullimeve në furnizim.

"Qëllimi i këtij projektligji nuk është ndërhyrja arbitrare në treg, por mbrojtja e qytetarëve nga abuzimi dhe spekulimi në kohë krize", tha Kusari-Lila. Ajo gjithashtu theksoi se ky projektligj është hartuar duke marrë parasysh vërejtjet e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2023, dhe se do të sigurojë një kornizë ligjore më të fortë dhe të qëndrueshme, për të mundësuar ndërhyrje të drejtë dhe të ekuilibruar në rast krizash ekonomike.

Në këtë periudhë të pasigurisë ekonomike dhe rritjes së inflacionit që ka goditur familjet në Kosovë, Ministrja Kusari-Lila theksoi se shteti duhet të garantojë një balancë të drejtë midis tregut të lirë dhe interesit publik. /telegrafi