Miratohet logoja për shënimin e 28-vjetorit të Epopesë së UÇK-së

Ministria e Mbrojtjes e Kosovës ka njoftuar se është mbajtur takimi i parë i Këshillit Organizativ për manifestimin me rastin e shënimit të 28-vjetorit të Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili do të zhvillohet më 5, 6 dhe 7 mars 2026.

Takimi është kryesuar nga ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, në cilësinë e bashkëkryesuesit, së bashku me ministrin për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti. Në të morën pjesë edhe anëtarë të Këshillit Organizativ si dhe përfaqësues nga Zyra e Presidentes, Kuvendi i Kosovës, Zyra e Kryeministrit dhe Asociacioni i Komunave të Kosovës.

Sipas njoftimit zyrtar, thuhet se gjatë takimit u diskutua gjerësisht për agjendën e aktiviteteve përgjatë tri ditëve të manifestimit, si dhe për ndarjen e detyrave dhe përgjegjësive ndërmjet institucioneve përkatëse, me qëllim organizimin sa më dinjitoz të kësaj ngjarjeje me rëndësi të veçantë shtetërore.

Pas konsultimeve të përbashkëta, Këshilli Organizativ miratoi agjendën zyrtare për datat 5, 6 dhe 7 mars, si dhe logon zyrtare të manifestimit.

“Institucionet përgjegjëse do të vazhdojnë koordinimin e ngushtë në ditët në vijim për të siguruar realizimin e suksesshëm të të gjitha aktiviteteve të parapara në kuadër të kësaj ngjarjeje”, thuhet në njoftim.