Propozohet të dëgjohen gazetarët e larguar nga puna në RTK, deputetët e LVV-së: S’jemi inspektorat i punës

Kryetarja e Komisionit për Administratë Publike, Digjitalizim, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal, Ariana Musliu-Shoshi, ka përsëritur propozimin për dëgjim publik në muajin mars për punëtorët e larguar nga puna së fundmi nga Radio Televizionin i Kosovës (RTK), por deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Fitim Haziri, ka thënë se nuk janë ata inspektorati i punës dhe se fillimisht duhet të pritet vendimi i këtij inspektorati për t’i dëgjuar.

“Kemi diskutuar paraprakisht që të ftojmë në dëgjim publik tri vajzat, të cilat janë larguar nga puna në RTK dhe anëtarët e Bordit dhe këtë kam menduar ta bëjmë në fillim të muajit mars”, tha Musliu-Shoshi.

Edhe deputetja nga PDK-ja, Ganimete Musliu, kërkoi që të caktohet data dhe të dëgjohen deklaratat e tyre.

“Në parim jemi dakorduar që kjo të bëhet dhe mendoj se sot duhet ta caktojmë një datë se kur jemi të gatshëm që ne të procedojmë me këtë çështje”, potencoi Musliu-Shoshi.

Por njësoj nuk mendon deputeti i LVV-së, Fitim Haziri.

“Edhe atë ditë është diskutuar kur e mbajtëm mbledhjen, unë nuk ndërhyra dhe mendoj se si komision nuk na takon neve të thërrasim menaxhmentin e RTK-së përderisa nuk kemi bord të RTK-së. Nuk ke mundësi me thirr drejtorin pa e thirr bordin, sepse nuk e lejon rregullorja. Ne nuk e dimë çka ka ndodhë. Së pari duhet me kalu, janë disa faza. Ato, nëse me të vërtetë janë largu prej punës padrejtësisht, së pari i drejtohen Inspektoratit të Punës dhe ne duhet me prit, sepse nuk mundemi me luajt rolin e Inspektoratit. Me pasë qenë ndonjë organizatë tjetër, ato i ishin drejtuar Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës të Shërbyesve Civilë dhe kishim prit vendimin e tyre. E presim vendimin e Inspektoratit të Punës dhe nëse ka pas të drejtë, do të sqarojë çdo send vendimi. Nuk mundemi me luajt rolin e Inspektoratit të Punës. Nuk jemi Inspektorat”, tha ai.

Por këtu ai mori një përgjigje nga kryetarja e Komisionit, duke i thënë s’ka ligj dhe rregullore që e ndalon seancën dëgjimore.

“Mendoj që kërkush nuk na ndalon, as ligji, as rregullorja, që të kemi seanca dëgjimore. Nëse është kërkesë e tyre, ne duhet ta trajtojmë patjetër. Kushdo që ka kohë prej deputetëve, mundet me i dëgju, por nëse nuk keni mundësi, mundeni mos me ardhë”, iu përgjigj Musliu-Shoshi.

Ndërsa, Time Kadrija nga AA-ja tha se si komision do të mbikëqyrin çdo institucion që është në kompetencën e tij.

“Mendoj që kryetarja e tha shumë mirë. Ajo çka na lejon ligji me mbikëqyrë dhe me bo, nuk duhet t’i ikim përgjegjësisë si komision. Ajo çka nuk është kompetencë e këtij komisioni dhe është antiligjore, ne nuk e bëjmë. Ne duhet me pa bazën ligjore, a kemi të drejtë edhe për ndërmarrje publike me i mbikëqyrë. Nuk do t’i ikim mbikëqyrjes së asnjë institucioni që bie në fushëveprimtarinë e këtij komisioni”, tha Kadrijaj. /EO