Eman Rrahmani i shqetësuar: Prioritet i Qeverisë, projektligji që lejon martesat burrë me burrë e grua me grua

Deputeti i PDK-së, Eman Rrahmani, ka reaguar pas pranimit të Agjendës Legjislative për vitin 2026 nga Qeveria e Kosovës, duke renditur disa prej projektligjeve që, sipas tij, pritet të rikthehen për shqyrtim dhe votim në Kuvend.

Në një reagim publik, Rrahmani ka theksuar se ndër prioritetet e qeverisë “Kurti III” për vitin 2026 janë:

Projektkodi Civil i Republikës së Kosovës, për të cilin ai pretendon se parasheh lejimin e martesave ndërmjet personave të gjinisë së njëjtë dhe që, sipas tij, pritet të procedohet për votim më 30 tetor 2026;

Projektligji për Gjendjen Civile, për të cilin ai pohon se parasheh ndryshime lidhur me çështjen e gjinisë, me afat të paraparë për votim më 30 qershor 2026;

Projektligji për Shëndet Riprodhues dhe Fertilizim të Asistuar Mjekësor, që sipas deklarimit të tij pritet të vijë në Kuvend më 1 tetor 2026.

Rrahmani ka theksuar se këto projektligje, sipas tij, janë kthyer mbrapsht në legjislaturën e kaluar dhe nuk kanë arritur të miratohen në Kuvend. Ai ka shtuar se rikthimi i tyre në agjendën legjislative të vitit 2026 tregon, sipas vlerësimit të tij, se ato përbëjnë prioritet të Qeverisë aktuale. /Zëri

Shkrimi i plotë:

Si deputetë sot kemi pranuar Agjendën Legjislative nga Qeveria e Republikës së Kosovës.

Këto janë prioritetet e Qeverisë Kurti III për vitin 2026:

1. Projekt Kodi Civil i Republikës së Kosovës, ku parashihet martesa burrë me burrë dhe grua me grua, pritet të vijë në Kuvend për votim më 30.10.2026.

2. Projektligji për Gjendjen Civile, ku parashihet ndryshimi i gjinisë çdo 10 vjet – pra 10 vjet bëhesh grua, 10 vjet bëhesh burrë dhe kështu me radhë – pritet të vijë në Kuvend për votim më 30.06.2026.

3. Projektligji për Shëndet Riprodhues dhe Fertilizim të Asistuar Mjekësor, ku parashihet që gratë të lindin pa burra dhe këtyre fëmijëve t’u ndalohet të dinë kë e kanë baba, pritet të vijë në Kuvend për votim më 01.10.2026.

Këto janë ligjet që ua kthyem mbrapsht në legjislaturën e kaluar.

Sot, po rikthehen sërish në agjendën legjislative të vitit 2026.

Pra, prioritet kryesor i Qeverisë Kurti III për vitin 2026 janë pikërisht ligjet që u kundërshtuan më parë dhe që nuk kaluan në Kuvend.