Greva e minatorëve në 1989, sakrifica që bëri historinë
Në Stantërg sot u shënua 37-vjetori i ngujimit të rreth 1 mijë e 300 minatorëve, një nga ngjarjet më të rëndësishme kundër suprimimit të autonomisë së Kosovës nga regjimi serb. Në manifestimin qendror të ‘Javës së Minatorëve’, drejtuesit e ndërmarrjes paralajmëruan reforma për ta bërë Trepçën një ndërmarrje më të qëndrueshme. Vitin e kaluar, Stantërgu tejkaloi planin në eksploatimin e xehes me 105 për qind, në prodhimin e koncentratit të plumbit me 115 për qind, duke realizuar plotësisht edhe planin në prodhimin e zinkut.
Greva, e nisur më 20 shkurt 1989 si kundërshtim ndaj shfuqizimit të autonomisë së Kosovës nga regjimi i atëhershëm serb, u shndërrua në simbol të qëndresës, unitetit dhe dinjitetit qytetar.
“Jo rrallë, në historinë botërore kemi ngjarje kaq të madhe sa edhe greva e shkurtit të vitit 1989. Qysh në atë kohë udhëheqësit e vendeve demokratike të Evropës, miqtë tanë e kanë thënë qartë që minatorët e Trepçës po i mbrojnë themelet e demokracisë edhe të drejtën e popullit të Kosovës me zgjedh vet udhëheqjen e vet”, tha Getoar Mjeku, zëvendësministër i MINT-it.
“Ju përshëndes për Ditën e Minatorit, e cila në historinë më të re të Kosovës e ka të shënuar me shkronja të arit lavdinë dhe kontributin patriotik për Kosovën dhe për çështjen shqiptare në përgjithësi”, tha Faton Peci, kryetar i komunës së Mitrovicës.
Kryeshefi ekzekutiv i Trepçës, Faton Ahmeti, u ndal edhe te performanca financiare e ndërmarrjes, duke bërë të ditur se gjatë vitit 2025 është realizuar një qarkullim prej afro 13 milionë eurosh, gati dyfish më i lartë krahasuar me vitin 2024.
“Kemi realizuar një qarkullim afro 13 milionë euro. Realisht kemi dyfishuar qarkullimin në krahasim me vitin 2024. Kemi krijuar të hyra 2 herë më shumë sesa në vitin 2024”, tha ai.
Edhe presidentja Vjosa Osmani ka shkruar në këtë përvjetor duke thënë se sakrifica e minatorëve u kthye në kushtrim lirie dhe dëshmoi se rruga drejt lirisë hapet nga guximi i atyre që nuk dorëzohen./rtk