AAK-ja, kritika ndaj Qeverisë për mospranimin e 14 amendamenteve në projektbuxhet

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka kritikuar Qeverinë për, siç tha, refuzimin e amendamenteve të propozuara nga opozita gjatë shqyrtimit të projektbuxhetit.

Sipas tij, mosmbështetja e amendamenteve që prekin çështje të ndjeshme sociale, të mbrojtjes, ekonomike dhe institucionale dëshmon mungesë vullneti për bashkëpunim dhe përfshirje më të gjerë politike në hartimin e buxhetit.

Tahiri ka deklaruar se nëse 14 amendamentet e këtij subjekti politik nuk pranohen, atëherë, sipas tij, prezantimi dhe shtytja për miratimin e buxhetit për vitin 2026 do të ishte mashtrim optik.

“Për buxhetin kemi folur në sesionin e kaluar, mirëpo qytetarëve të Kosovës dua të iu them dy porosi që i ka AAK-ja. E para: ashtu siç u ka thënë në leximin e parë për këtë buxhet, ky është buxhet që është përgatitur në tetor, dhe ky buxhet është provizor. Kështu është thënë nga kryeministri e ministri i Financave dhe zotimi i Qeverisë është se pas dy muajve do të ndodh një rishikim i madh për këtë buxhet. Nga 86 amendamente gjithsej, AAK i ka 14. Ne do të presim cili do të jetë reagimi i qeverisë për këto amendamente, nëse edhe kësaj here nuk do të kalojë në seancë asnjë amendament i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, atëherë leximet e buxhetit kanë qenë mashtrim optik”, tha Tahiri.