PDK-ja pret vendim të drejtë në Hagë - shpreh besim në pafajësinë e Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit

Partia Demokratike e Kosovës ka reaguar pas paraqitjes së fjalëve përfundimtare në Dhomat e Specializuara në Hagë nga katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK): Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

Në një deklaratë publike, PDK-ja thekson se e ka përcjellë me vëmendje këtë fazë të procesit gjyqësor, duke e cilësuar paraqitjen e të akuzuarve si dinjitoze dhe të mbështetur, sipas saj, në të vërtetën e luftës për liri të popullit të Kosovës.

Sipas partisë, pas më shumë se pesë vitesh paraburgim, ish-krerët e UÇK-së janë shprehur me përgjegjësi dhe respekt për procesin gjyqësor, duke dëshmuar, siç thuhet në reagim, se përballja me drejtësinë është pjesë e historisë dhe jo shmangie prej saj.

Në këtë fazë vendimtare, PDK-ja kërkon që vendimi i gjykatës të jetë i drejtë, i paanshëm dhe i bazuar ekskluzivisht në fakte dhe prova, larg çdo narrative ose perceptimi politik.

Në deklaratë rikujtohet se lufta e popullit të Kosovës për liri konsiderohet nga PDK-ja si e drejtë dhe çlirimtare, duke u referuar edhe zhvillimeve ndërkombëtare që çuan në ndërhyrjen e NATO-s dhe në shpalljen e pavarësisë së Kosovës.

Partia Demokratike e Kosovës shpreh besimin në pafajësinë e Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit, duke pritur një vendim që, sipas saj, do të konfirmojë lirimin e plotë nga të gjitha pikat e aktakuzës.

Në fund, PDK-ja rithekson solidaritetin me familjet e ish-krerëve të UÇK-së, falënderon qytetarët për mbështetjen e shprehur përmes marshimeve dhe protestave, si dhe shpreh mirënjohje për rolin e mediave gjatë gjithë procesit.