Shkëndija sfidon Samsunsporin, Beqiri pret spektakël

Sonte Shkëndija e Tetovës sfidon Samsunsporin në ndeshjen e playoff-it të Conference Leagues, duke kërkuar një paraqitje spektakolare edhe pa dy titullarët e skualifikuar. Ndeshja zhvillohet në stadiumin “Todor Proeski” në Shkup, duke filluar në orën 21:00.

Skuadra kampione e Maqedonisë së Veriut do të përballet me Samsunsporin në stadiumin “Todor Proeski” në Shkup. Kuqezinjtë do të jenë pa lojtarët Trumçin dhe Latifin, të skualifikuar për shkak të kartonëve.

Trajneri i Shkëndijes, Jeton Beqiri, në prag të kësaj sfide ka deklaruar se pret një ndeshje spektakolare dhe se skuadra e tij duhet të japë maksimumin.

Ai shtoi se skuadra do të mundohet të paraqitet mirë, veçanërisht në minutat e para, duke luftuar për çdo top në çdo pjesë të fushës dhe të shijojë ndeshjen.

Beqiri beson se çdo futbollist do të japë maksimumin, duke qëndruar me këmbë në tokë, por njëkohësisht të ndjehet krenar për paraqitjen.