Haxhiu: Pa 30 nënshkrime nuk mund të thirret seanca për presidentin
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, tha se pa 30 nënshkrimet e kandidatëve nuk mund të thirret seanca.
E pyetur pas takimit me kryetarët e komisioneve parlamentare , Haxhiu tha se më 4 mars gjithçka do të përfundojë, por nuk ka mundësi pa nënshkrimet.
“Për këtë çështje ju lutem të diskutoni me përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje. Natyrisht, si Kuvend ne duhet t’i kryejmë përgjegjësitë që kemi. Unë, sapo t’i kem nënshkrimet, sepse ju e dini që duhet të jenë 30 nënshkrime nga dy kandidatë, do ta thërrasim seancën dhe do të procedojmë me këtë", tha Haxhiu.
Haxhiu shtoi se para së gjithash, do të kemi takime me të gjitha partitë politike, të cilat janë të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës.
"Sipas interpretimeve, më 4 mars gjithçka do të përfundojë, mirëpo nuk mund të veproj pa i pasur nënshkrimet e kandidatëve”, tha Haxhiu.
Haxhiu tutje njoftoi se është vendosur që takimet me kryetarët e komisioneve të jenë të rregullta, me synim rritjen e efikasitetit dhe shmangien e vonesave.
“Disa ligje janë të gatshme dhe u dakorduam që të vazhdojmë pa vonesa. Shembujt e kaluar kur projektligjet kanë mbetur për vite në komisionet parlamentare duhet të marrin fund”, theksoi Haxhiu.
Në fokus të diskutimit ishte edhe plotësimi i pozitave që varen nga Kuvendi.
Sipas saj, janë 36 vende që duhet të plotësohen, ndërsa 14 prej tyre kërkojnë inicim të drejtpërdrejtë nga Kuvendi.