Selimi: Historia e Kosovës nuk mund të rishkruhet, aq më tepër në një sallë gjyqi

Në fjalën e tij para trupit gjykues, Rexhep Selim ka thënë se Prokuroria është përpjekur që përmes fakteve të shtrembëruara të ngrejë aktakuzë, shkruan Zeri.info.

Sipas Selimit, përmes këtyre aktakuzave të shtrembëruara Prokuroria po përpiqet që të rishkruajë historinë, por që, sipas tij, historia e Kosovës nuk mund të rishkruhet e aq më pak në një sallë gjyqi.

“Zëri” jua sjell një pjesë të fjalimit të Rexhep Selimit:

Unë nuk jam ngritur sot këtu ta mbroj veten time, sepse këtë gjë e dinë më së miri dhe e kanë bërë avokatët e mi. Nuk jam këtu as për t’ju treguar ju për drejtësi, sepse ju e dini më mirë se çdokush atë. Unë sot jam këtu për të kërkuar nga ju që pikërisht ta ushtroni atë, drejtësinë. Edhe pse kanë kaluar gati tre vjet nga fillimi i këtij procesi, Prokuroria vazhdon të mbështetet në pretendime që nuk kanë bazë në të vërtetën dhe në një përpjekje të vazhdueshme për të njollosur një luftë që në thelb ishte çlirimtare. Megjithëse Prokuroria që në fillim të paraqitjes së saj të fjalës përfundimtare deklaroi se nuk kërkon dënimin e shtabit të përgjithshëm të UÇK-së, gjatë gjithë kohës që pati në dispozicion, shënjestër e saj ishte pikërisht shtabi i përgjithshëm i UÇK-së, Ushtria Çlirimtare dhe në veçanti qëllimi i saj, që ishte pavarësia e Kosovës. Madje krijoi përshtypje sikur vetë pavarësia po trajtohej si një qëllim i përbashkët kriminal. Në përpjekje për ta ngarkuar me përgjegjësi Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së, prokuroria mbajti qëndrime akuzuese si, citoj: “Shtabi i përgjithshëm kërkonte pavarësinë”, apo më tutje “Shtabi i përgjithshëm deklaroi se nuk do ta mbështeste autonominë”. Është e vështirë të kuptohet kundër kujt realisht është ngritur kjo aktakuzë, kundër nesh me pretendime për veprime konkrete apo kundër nesh sepse luftuam për pavarësinë e Kosovës. Kjo mbetet për t’u vlerësuar nga ju i nderuar trup gjykues. Po aq problematike është përpjekja e Prokurorisë për ta ndarë shoqërinë e Kosovës në dysh, në ata që ishin për pavarësi, dhe në ata që ishin për autonomi, sikur të donte që me çdo kusht të krijonte përçarje mes qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Të nderuar, në Kosovë nuk ka pasur kurrë asnjë parti politike shqiptare që ishte kundër pavarësisë dhe rrjedhimisht asnjë që e mbështeste ndonjë autonomi nën Serbi. Të gjitha partitë politike shqiptare ishin për pavarësinë, ashtu siç ishte edhe vetë qëllimi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ta paraqesësh kërkesën për pavarësi si kërkesë radikale dhe autonominë si moderne, është një sulm jo vetëm ndaj historisë së Kosovës, por edhe ndaj së ardhmes së saj. Sikur prokuroria përpiqet të na ndaj neve shqiptarëve mes veti dhe ta barazoj UÇK-në me krimet e Serbisë. Askush nuk mund ta bëjë as njërën e as tjetrën. Lufta çlirimtare nuk mund të barazohet me shtetin vrarës së Serbisë. Ta barazosh rezistencën e një populli të shtypur me një plan kriminal, do të thotë ta vendosësh në të njëjtin nivel rezistencën e të shtypurit me projektin e shtypësit. Ky barazim nuk është vetëm i pasaktë, por thellësisht i padrejtë. Të përpiqesh të ndërhysh me qëllim në ndryshimin e fakteve historike përmes akuzave me pretendime të shtrembëruar, është thjeshtë të përpiqesh ta rishkruash historinë. E historia e Kosovës nuk mund të rishkruhet, aq më tepër në një sallë gjyqi. Historinë e Kosovës e kanë shkruar me çmimin e sakrificës qytetarët e saj, luftëtarët e lirisë dhe dëshmorët e atdheut. /Zëri