Selimi: Akuzat ndaj nesh janë tërësisht të pabazuara dhe të padrejta
Rexhep Selimi është duke dhënë fjalën e tij të fundit në Hagë, raporton Zeri.info.
Ai ka thënë se shpreson se ky do të jetë fjalimi i tij i fundit në këtë sallë gjyqi.
Selimi theksoi se beson që Gjykata ka pasur kohë të mjaftueshme që ta kuptojë se lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë dhe se pretendimet e Prokurorisë nuk qëndrojnë.
Selimi po ashtu ka thënë se akuzat ndaj katërshes së UÇK-së janë tërësisht të pabazuara dhe të padrejta.
“Është hera e tretë dhe shpresoj të jetë e fundit që unë e marrë fjalën më këtë sallë gjyqi. Kanë kaluar më shumë se pesë vite nga fillimi i këtij procesi gjyqësor. Këto pesë vite nuk kanë qenë të lehta për ne, por as të pa rëndësishme për historinë e vendit tim. Megjithatë lë të shërbejë e gjithë kjo si një mundësi dhe shans i mirë për drejtësinë. Pas gjithë këtyre viteve ka edhe një element pozitiv, shpresoj që trupi gjykues ta ketë pasur kohën e mjaftueshme për ta kuptuar se lufta jonë ishte e drejtë dhe se pretendimet e prokurorisë nuk qëndrojnë. Në fjalën time në këtë sallë në prill të vitit 2023, kur ky proces veç sa kishte filluar, thashë se po përballesha me një aktakuzë të pabazuar, sot pas gjithë këtij rrugëtimi rrjedha e këtij procesi më ka dhënë të drejtë. Akuzat ndaj nesh janë tërësisht të pabazuara dhe të padrejta”, u shpreh Selimi. /Zëri