Myftiu Tërnava: Mesazhi i Ramazanit është paqja, pastron zemrën nga urrejtja dhe ndalon fyerjen

Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, myftiu Naim Tërnava, ka dhënë mesazhin dhe urimin për muajin e shenjtë të Ramazanit, ku tha se mesazhi është paqja dhe se Ramazani na thërret të forcojmë lidhjen me Zotin dhe përgjegjësinë ndaj vendit tonë, institucioneve dhe të ardhmes sonë të përbashkët.

Tërnava tha se gjatë këtij muaji të shenjtë është edhe reflektimi për formësimin e dashurisë ndaj fesë dhe atdheut.

“Na edukon me drejtësi, dhembshuri dhe moral të lartë dhe na udhëzon drejt paqes së brendshme. Ramazani është shkolla e shpirtit, ku besimtari pastrohet nga gabimet, forcohet në besim dhe rritet në devotshmëri. Është koha kur leximi i Kuranit bëhet frymëmarrje e zemrës, lutja gjuhë e shpirtit dhe sadakaja dritë në rrugën tonë. I Dërguari, Muhamedi a.s., ishte njeriu më bujar, ndërsa bujaria e tij arrinte kulmin pikërisht në këtë muaj të bekuar. Në këtë natë të bekuar, kur hëna e Ramazanit ngrihet mbi horizontin shpirtëror të vendit tonë, le të reflektojmë për dy dashuri që na formësojnë: dashurinë ndaj fesë dhe dashurinë ndaj atdheut. Ramazani është më shumë se agjërim, është një shkollë hyjnore, vetëpërmbajtje, pastrim i ndërgjegjes dhe lartësim moral. Ai e bën njeriun më të ndjeshëm ndaj tjetrit dhe më të përkushtuar ndaj së mirës së përbashkët. Historia jonë dëshmon se besimi ynë ka qenë burim frymëzimi për angazhimin qytetar dhe kombëtar, veçanërisht në momentet kyçe si shpallja e pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt 2008, kur u kurorëzua sakrifica e gjatë për liri, drejtësi dhe dinjitet. Dashuria ndaj fesë dhe atdheut nuk janë në kundërshtim, por plotësojnë njëra-tjetrën. Besimi e formon karakterin, ndërsa atdheu i jep hapësirë veprimi. Ramazani na thërret të forcojmë lidhjen me Zotin dhe përgjegjësinë ndaj vendit tonë, institucioneve dhe të ardhmes sonë të përbashkët. Agjërimi në muajin e shenjtë të Ramazanit është një nga adhurimet më të veçanta, sepse është ibadet që besimtari e kryen vetëm për hir të Krijuesit, me bindje të plotë, vullnet të lirë dhe sinqeritet të thellë shpirtëror”, tha ai.

Tërnava bëri thirrje të ruhet vëllazëria dhe kombi me zemër të pastër dhe vendosmëri.

“Mesazhi i Ramazanit është paqja, pastron zemrën nga urrejtja, ndalon fyerjen dhe ngre respektin në themel të bashkëjetesës. Është thirrje për vetëpërmbajtje, vëllazëri dhe dashuri aktive që sjell harmoni shoqërore. Nxitja e urrejtjes është mëkat i rëndë dhe tradhti ndaj frymës së këtij muaji. Ta ruajmë vëllazërinë dhe kombin tonë, me zemër të pastër dhe vendosmëri që dashuria të triumfojë mbi çdo përçarje”, tha ai në konferencë.