Rama: Buxheti i Prishtinës po mbahet peng për arsye politike nga Qeveria
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar të enjten në rrjetin social Facebook, duke kritikuar Qeverinë për mospërfshirjen e Buxhetit të Kryeqytetit në Buxhetin e vitit 2026.
Rama thekson se kjo nuk është thjesht një vonesë administrative, por një vendim politik. Ai kujton se buxheti i kryeqytetit është miratuar në Asamblenë e Kryeqytetit, me të gjitha specifikat teknike dhe ligjore dhe është dorëzuar sipas procedurave.
“Çdo justifikim për mospërfshirje bie poshtë kur dokumentacioni është i plotë dhe në përputhje me ligjin”, shkruan Rama, duke shtuar pyetje që ngrisin shqetësime për motive politike:
Pse nuk po përfshihet në Buxhetin e vitit 2026?
A është kjo hakmarrje politike?
A është tentativë për ta bllokuar zhvillimin e kryeqytetit?
A po përdoret buxheti si mjet presioni ndaj qytetarëve të Prishtinës?
Ai thekson se Qeveria ka një obligim kushtetues dhe ligjor për të trajtuar buxhetin e Kryeqytetit pa diskriminim politik dhe se çdo veprim ndryshe përbën shkelje të parimit të barazisë institucionale dhe goditje direkte ndaj qytetarëve.
“Prishtina nuk është pronë e askujt. Është Kryeqyteti i Republikës dhe meriton trajtim institucional, jo kalkulime partiake. Nëse Qeveria zgjedh ta mbajë peng buxhetin e 2026-ës, atëherë le ta thotë hapur: QYTETARË TË KRYEQYTETIT, PO JU NDËSHKOJMË SEPSE NUK NA VOTUAT NEVE! Qytetarët e Prishtinës meritojnë përgjigje!”, përfundon Rama. /Zëri