Ushtria padit shtetin: Qindra ushtarakë i kthehen kundër Ministrisë së Mbrojtjes, kërkojnë shtesa e tyre
Qindra pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës kanë paditur shtetin pasi për tre vite janë privuar nga e drejta për të marrë shtesat që u takojnë, kryesisht në lidhje me pagat, orët shtesë dhe kompensime për dëme.
Gjykatat Themelore në disa rajone të Kosovës po trajtojnë këto padi civile kundër Ministrisë së Mbrojtjes, respektivisht FSK-së. Të dhënat e siguruara nga katër gjykata – Prizreni, Ferizaj, Gjakova, Pejë dhe Mitrovica, tregojnë se numri i përgjithshëm i lëndëve të regjistruara arrin rreth 455 raste, të cilat kryesisht trajtohen si konteste për kompensim dëmi.
Megjithatë, sistemi i regjistrimit të lëndëve nuk lejon identifikimin e detajuar të bazës së secilës padi pa shqyrtuar dosjet individualisht.
Sipas verifikimeve paraprake, kërkesat më të shpeshta të paditësve lidhen me: kompensimin e diferencës së pagës pas ngritjeve profesionale, kërkesa për pagesa shtesë për rrezikshmëri, kompensimin për orë shtesë pune, punë gjatë vikendeve dhe ditëve festive. Derisa disa raste kanë marrë epilog gjyqësor, pjesa më e madhe e tyre vazhdon të jetë në procedurë ose në fazë ankese.
Sipas të dhënave nga Gjykata Themelore në Prizren, në këtë institucion janë regjistruar rreth 150 lëndë, ku palë e paditur është Forca e Sigurisë së Kosovës. Paditë, në shumicën e rasteve, janë individuale, ndërsa vetëm në raste të rralla paraqiten dy ose tre paditës në një padi të vetme.
Të gjitha këto raste janë regjistruar si konteste për kompensim dëmi, çka e bën të pamundur kategorizimin e saktë të kërkesave pa analizë individuale të dosjeve. Megjithatë, nga vendimet e shqyrtuara deri më tani, del se shumica e rasteve të zgjidhura kanë të bëjnë me kompensimin e diferencës së pagës për shkak të ngritjes profesionale.
Nga të dhënat e sistemit SMIL të Gjykatës Themelore në Ferizaj rezulton se janë regjistruar 156 lëndë ku palë e paditur është Ministria e Mbrojtjes – FSK. Statusi aktual i këtyre rasteve është: 28 raste të zgjidhura, 97 raste të apeluara, 31 raste ende të pazgjidhura.
Edhe këtu, rastet janë regjistruar nën kategorinë e përgjithshme të kompensimit të dëmit, pa specifikim të detajuar të bazës së kërkesave. Për këtë arsye, nuk mund të konfirmohet me saktësi se sa prej tyre lidhen drejtpërdrejt me shtesat e rrezikshmërisë, e sa me konteste të tjera pune.