Mishetiq: S’është detyrë e trupit gjykues ose mbrojtjes t’i mbushin boshllëqet e provave të ZPS-së

Mbrojtja e Hashim Thaçit, e përfaqësuar nga avokati Luka Mishetiq, duke u përgjigjur në pyetjet e gjyqtarit Guénawl Mettraux lidhur me qëndrimet kontradiktore në mes tyre dhe Prokurorisë rreth dëshmisë së Bislim Zyrapit, tha se ata dhe as trupit gjykues nuk e kanë për detyrë që të mbushin boshllëqet në provat e Prokurorisë.

“Së pari duhet theksuar se barra e provës është vetëm dhe vetëm e Prokurorisë”, tha Mishetiqi.

Ai tha se kjo është thënë edhe në aktgjykimin ndaj Salih Mustafës më 16 dhjetor 2022.

“Nuk është detyre e trupit gjykues apo e mbrojtjes që të mbushim ne boshllëqet e provave të tyre”, tha ai.

Rrjedhimisht, Mishetiqi tha se Prokuroria thekson se Zyrapi s’ka qenë pjesë e Ndërmarrjes së Përbashkët Kriminale, si dhe anëtarët e saj i fshihnin veprimet nga ai.

“Kështu që përgjigja ime e parë është kjo; ata thonë që nuk ka qenë pjesë e NPK-së së pretenduar dhe se anëtarët e NPK-së përpiqeshin t’i fshinin veprimet prej tij”.

Por, në anën tjetër, ai thotë se Zyrapi ka qenë gjithandej vendeve ku pretendohet se kanë ndodhur krimet, por Prokuroria thotë se ai nuk ka qenë pjesë e NPK-së.

“Prokuroria ka thënë që Zyrapi nuk ka qenë pjesë e NPK-së edhe është lënë jashtë qëllimit të përbashkët kriminal. Megjithatë, ai ka qenë i pranishëm gjithandej”, tha ai.

Pas Mettrauxit, pyetjet i ka filluar gjyqtari Fergal Gaynor dhe u fokusua sërish te pjesa e ndalimit. /BD