Në Prishtinë hapet ekspozita “Paraja rrëfen: 100 vjet jetë dhe ngjarje”
Banka Qendrore e Kosovës bashkë me atë të Shqipërisë kanë hapur në Prishtinë ekspozitën “Paraja rrëfen: 100 vjet jetë dhe ngjarje”, ku u vlerësua bashkëpunimi mes dyja bankave e ky synim është ndërgjegjësimi i publikut për rolin e parasë dhe bankave qendrore.
Guvernatori i BQK-së, Ahmet Ismaili, tha se kjo ekspozitës nuk është vetëm një paraqitje e monedhave dhe kartëmonedhave, por një rrëfim i gjatë i historisë ekonomike.
“Kjo ekspozitë nuk është vetëm një paraqitje e monedhave dhe kartëmonedhave, por një rrëfim i gjatë i historisë sonë ekonomike, shoqërore dhe institucionale. Ajo na udhëheq nëpërmjet evolucionit të parasë shqiptare gjatë një shekulli, duke reflektuar proceset e shtetndërtimit, zhvillimit ekonomik dhe forcimit të institucioneve financiare. Ekspozita e sotme në Kosovë vjen në vazhdën e 100-vjetorit të Bankës Qendrore të Shqipërisë, si dëshmi konkrete e bashkëpunimit të ngushtë ekonomik dhe dinamik mes institucioneve tona dhe e përkushtimit tonë të përbashkët për ta ndarë këtë trashëgimi me publikun në vendet tona. Hapja e saj në Prishtinë përkon me javën kur do të shënojmë 18-vjetorin e pavarësisë së Republikës së Kosovës. Prandaj, ekspozita 'Paraja rrëfen' synon të nxisë ndërgjegjësimin e publikut për rolin e parasë dhe bankave qendrore, si dhe për rëndësinë e stabilitetit financiar”, tha Ismaili.