Presidentja Osmani falënderon Trumpin: Kosova do të qëndrojë gjithnjë krah SHBA-së

Presidentja Vjosa Osmani ka falënderuar homologun e saj amerikan, Donald Trump, pasi pranoi nga ai një letër urimi me rastin e 18-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.

Përmes një postimi në profilin e saj zyrtar në rrjetin social Facebook, e para e vendit theksoi se Kosova do të qëndrojë gjithnjë krah Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në përpjekjet për paqe, stabilitet dhe një botë më të sigurt.

“Faleminderit Presidentit Trump për urimin e përzemërt për popullin e Kosovës në prag të Ditës së Pavarësisë, si dhe për mbështetjen e palëkundur për sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës”, shkroi Osmani. /Zëri