KRU “Mitrovica” njofton për reduktime të ujit pas reshjeve

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Mitrovica” ka njoftuar se si pasojë e reshjeve të pandërprera të shiut gjatë natës, është shënuar rritje e theksuar e nivelit të turbiditetit në ujin e papërpunuar.

Sipas njoftimit të KRU “Mitrovica”, për shkak të kësaj situate, impiantet e trajtimit të ujit në Shipol dhe Balinc janë detyruar të operojnë me kapacitet të reduktuar të prodhimit, me qëllim ruajtjen e cilësisë së ujit të pijes.

Si rrjedhojë, mungesa e ujit është vërejtur më shumë në zonat me kuota më të larta dhe në pikat fundore të rrjetit të shpërndarjes.

“Sipas parashikimeve, gjatë ditës pritet ulje e nivelit të turbiditetit, çka do të mundësojë rritjen graduale të kapacitetit prodhues dhe normalizimin e furnizimit me ujë të pijes për të gjithë konsumatorët.Ju falënderojmë për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin tuaj”, thuhet në njoftim.